Për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi do të nevojitet kohë e gjatë

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi dhe më pas edhe ato në Kosovë kanë penguar shumë procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuar nga Brukseli, vlerësojnë analistë politikë në Prishtinë.

 

Lajme

19/08/2014 19:41

Përveç integrimit të një pjese të policëve serbë në veri, në kuadër të Policisë së Kosovës, marrëveshjet tjera vlerësohet se kanë mbetur në fazat e para implementuese.

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, tha për Radion Evropa e Lirë se agjendat politike në Prishtinë dhe Beograd kanë ndikuar në zbatimin e marrëveshjeve.

“Ajo që është më e rrezikshme, ka ngecur zbatimi i marrëveshjes për gjykata dhe funksionalizimi i plotë i komunave në veri. Kjo ka ndodhur me fajin e të dyja palëve. Por, natyrisht që Beogradi ka qenë disi më i ndjeshëm në këtë rast, sepse edhe pas zgjedhjeve në Serbi, kryeministri Vuçiq e ka shtyrë funksionalizimin e marrëveshjes për gjykatat, pavarësisht vullnetit të kryeministrit Thaçi që të shkojë në Bruksel dhe të finalizojë  marrëveshjen”, tha Rashiti.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerësoi se marrëveshjet tashmë të arritura nuk e kanë ndryshuar pozicionin e Serbisë për normalizimin e raporteve me Kosovën dhe sidomos për shuarjen e strukturave paralele në veri.

Disa veprime të fundit në veri, të mbështetura nga Beogradi, sipas Korenicës, kanë treguar se Beogradi nuk ka interesim për integrimin e veriut në kuadër të sistemit juridik e kushtetues të Kosovës.

“Serbia me angazhimet e fundit, si me ‘Parkun e paqes’, ashtu edhe me përcaktimin e një linje të veçantë buxhetore për institucionet paralele në Kosovë në buxhetin shtetëror të saj, po i thyen parimet themelore që janë dakorduar me marrëveshjen e 19 prillit. E, në anën tjetër, po vazhdon t’i mbajë të kontrolluara dhe operative tërësisht shumë struktura paralele edhe në nivelin e sigurisë, por edhe në nivelin e administratës dhe shërbimeve publike, si në veri, ashtu edhe në disa pjesë jugore të Kosovës”, tha Korenica për REL.

Sa i përket palës kosovare, Korenica vlerëson se procesi i zbatimit të marrëveshjeve mund të ndodhë vetëm pasi të krijohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e fundit.

Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ishte konsideruar e para, në kuadër të marrëveshjeve që do të pasonin deri në normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Naim Rashiti mendon se për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, megjithatë do të kërkohen edhe vite e marrëveshje tjera.

“Nuk e besoj që edhe në marrëveshjen e dytë apo të tretë do të kemi një traktat apo një pakt të paqes, që do të finalizonte normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo, edhe për faktin që në konkluzionet e BE-së për anëtarësimin e Serbisë në BE kërkohet që deri në integrimin e saj të kemi një marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por kjo ka krijuar një afat kohor të gjatë për Serbinë”, vlerësoi Rashiti.

Marrëveshja e 19 prillit përmban 14 pika. Ndër tjera, ajo parashihte edhe transformimin e strukturave ilegale të Serbisë në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve dhe vendosjen e institucioneve lokale në atë pjesë dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Nga këto provizione janë zbatuar disa pika, siç është ajo për mbajtjen e zgjedhjeve, kurse kanë mbetur të pazbatuara çështjet që kanë të bëjnë me vendosjen e sistemit gjyqësor në veri.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve nga e BE-së është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane.