Për dhe kundër migrimit, ja çka thonë të rinjtë

Autoritete në Kosovës vazhdimisht bëjnë thirrje për të mos migruar në mënyrë të paligjshme, por pavarësisht kësaj, shumë të rinj të Kosovës vazhdojnë të jenë të interesuar për të ikur në ndonjë nga vendet perëndimore.

Lajme

30/11/2014 14:52

Së fundi është evidentuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët kanë lëshuar Kosovën për një jetë më të mirë në ndonjë nga vendet perëndimore.

Në një anketë me të rinj, Radio Evropa e Lirë i ka pyetur ata se çka mendojnë rreth migrimit dhe largimit nga Kosova.

Shumë prej tyre u shprehën kundër migrimit të paligjshëm, por, siç thonë ata, trendi në rritje i kësaj dukurie është pikërisht për shkak të mos perspektivës së tyre në këtë vend.

Shqiproni, 20 vjeçar, student në Universitetin e Prishtinës, thotë se nuk do të dëshironte të migronte, pasi që kushtet ekonomike dhe sociale i ka të mira, por që, nëse nuk do të kishte këto kushte ekonomike çfarë ka aktualisht, gjithsesi thotë nuk do të jetonte në Kosovë.

“Varet prej kushteve familjare, ne jemi studentë dhe investimet i bën familja. Familja ime jeton jashtë vendit dhe ata më ndihmojnë financiarisht. Në Kosovë është problem edhe pas përfundimit të studimeve t’i nuk arrin të gjesh punë dhe kjo bën që të rinjtë të ikin. Unë momentalisht nuk do ta bëj një gjë të tillë”, shton ai.

Edita, një vajzë nga Prishtina, është kundër migrimit të paligjshëm.

“Unë nuk kisha bërë migrim të paligjshëm, nuk duhet bërë nga askush, nuk mund të përkrah asnjë qytetar që merr atë rrugë me shumë rreziqe”, tha Edita.

Sipas të dhënave të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, nga muaji janar e deri në shtator janë mbi 8 mijë persona që kanë lënë Republikën e Kosovës.

Arlind Hyseni, një i ri nga qyteti i Ferizajt, i cili ka përfunduar shkollimin e mesëm, thotë se do ta kishte bërë të njëjtën gjë si ata 8 mijë persona. Kushtet e vështira ekonomike dhe sociale, thotë ai, të detyrojnë të ikësh nga vendi.

“Po të njëjtën gjë do ta bëja, sot po të më ofrohej mundësia ik nga vendi. Këtu nuk ka as punë as asgjë, do të kisha ikur për një jetë më të mirë”, shprehet ai.

Ndryshe nga Arlindi, Njomza thotë se nuk do të ikte jashtë vendit. Ajo tregon se prindërit e saj çdo herë insistojnë të ikin nga Kosova, por ajo është kundër atij vendimi.

“Mendoj që është shumë keq. Prindërit e mi thonë të dalim jashtë vendit, por unë nuk dua, dua të rri në Kosovë, unë jam shqiptare dhe dua të jetoj me njerëz që kanë mentalitetin tim. Këtu e kemi një jetë normale dhe nëse dalim jashtë ndoshta mund të kemi një jetë me më shumë luks, por unë preferoj të jetoj në këtë jetë normale pa luks”, thotë ajo.

Interesimi i të rinjve për të migruar në shtetet e ndryshme, kryesisht ka të bëjë me kushtet e vështira ekonomike dhe papunësinë. Këtë e thotë edhe Fitore Sinani, 19 vjeç. Ajo mendon se çdo vend i Bashkimit Evropian ofron kushte më të mira sesa që janë në Kosovë.

“Të rinjtë nuk po kanë si të përparojnë këtu, nuk po ka vende të punës, në njëfarë mënyrë janë të detyruar të migrojnë. Edhe unë do të ikja nga Kosova në ndonjë vend ku mund të punoj dhe do të shkoja në një vend ku do t’i kisha pasur kushtet më të mira sesa që janë në Kosovë”, thekson ajo.

Disa të rinj thonë se kanë dëgjuar që shumë qytetarë të Kosovës, të cilët kanë tentuar të bëjnë migrim të paligjshëm, janë mbajtur në kampe refugjatesh me kushte minimale për jetë.

Donika, një vajzë e re nga qyteti i Prishtinës, thotë se duke pasur parasysh gjitha këto rreziqe që mund t’i ketë migrimi i paligjshëm, nuk do të ikte nga Kosova.

“Unë mendoj që nuk janë duke bërë mirë, për arsye se po shihen peripecitë dhe kushtet në kampe refugjatësh. Më shumë duhet të merret shteti i Kosovës që të krijojë kushte më të mira për qytetarët dhe të mos bëhet ky migrim. Nëse ishin bërë kushte të mira, njerëzit nuk kishin qenë të detyruar të migrojnë paligjshëm”, thekson ajo.

Sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare në Kosovë, është vlerësuar që me një papunësi mbi 30 për qind dhe me një nivel të lartë të varfërisë çdo herë ekziston një potencial i lartë për migrim.