Për dështime në Kosovë, Pajaziti bën përgjegjës edhe BE-në (Video)

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se në Kosovë mund të ishte bërë më shumë që të evitohej mandati kaq i gjatë i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Lajme

16/06/2016 21:42

“Kam qenë pjesë e Qeverisë para 8 vitesh kur është vendosur EULEX në Kosovë dhe atëherë është folur se ky mandat nuk do të zgjasë kaq shumë”, ka thënë Pajaziti.

“Shumëçka mund të ishte bërë më tepër në Kosove, për t’u evituar ky mandat aq i gjatë, por kjo nuk ka ndodhur”, është shprehur Pajaziti në televizionin Rrokum.

Ai ka shtuar se “nuk e di se a do të përfundojë pas dy vjetësh, apo do të vazhdojë prapë ky mandat i EULEX’it”.

YouTube player

Pajaziti ka thënë se edhe BE është përgjegjëse për disa dështime në Kosovë.

“BE kishte mandatin t’i kryente disa punë, por nuk ia arriti, pra është një përgjegjësi e dyfishtë, jo veç përgjegjësi e Kosovës”, ka deklaruar ai.

I pyetur se a do të votojë për zgjatjen e mandatit të EULEX’it, Pajaziti u përgjigj: “Unë do ta votoj, edhe pse nuk do të dëshiroja një mision i tillë të zgjaste kaq shumë”.

“PDK, përkundër një debati të madh të hapur të brendshëm, ka marre një vendim që të jetë në mbështetje të vazhdimit të mandatit të EULEX’it”, ka sqaruar Pajaziti.

Ai ka folur edhe për çështjen e Demarkacionit, duke thënë se deklaratat rreth saj bëhen për elektorat.

“Nuk mendoj që duhet të bëhen deklarata për Demarkacionin dhe të bëhen repriza sikurse bën opozita”, ka thënë ai.

Pajaziti ka komentuar edhe çështjen e liberalizimit te vizave. “Kushti që të ratifikohet Demarkacioni, për t’u liberalizuar vizat, është kriter politik”, ka thënë Pajaziti.