Për cilën vijë bregdetare po flet Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës?

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se Kosova do të ndikohet nga masat e nxehta të ajrit të cilat burimin e kanë nga Afrika Verior. E kur tregon për temperaturat, tregojnë edhe për ato përgjatë vijës bregdetare.

Lajme

05/07/2015 22:36

Temperaturat minimale thuhet se do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës, nga dita e hënë deri të mërkurën, do të lëvizin ndërmjet 31-35 gradë Celsius. Të ënjtën ka mundësi që vende-vende të ketë riga shiu.

Pjesa qendrore dhe veriore e Kontinentit do të jetë nën ndikimin e masave të paqëndrueshme të ajrit të cilat do të kushtëzojnë një mot jostabil me reshje shiu, derisa e gjithë pjesa tjetër e Kontinentit do të ndikohet nga masat e thata dhe të nxehta të ajrit të përcjelluar me pak vranësira dhe kthjellime dominuese.

“Edhe përgjatë vijës bregdetare pritet të mbajë mot i nxehtë me temperatura tipike verore. Temperaturat më të ulëta do të lëvizin ndërmjet 17-23 gradë Celsius, derisa maksimalet e ditës do të lëvizin nga 31-38 gradë celsius. Shtypja atmosferike do të pësojë zbritje ditën e mërkurë dhe si rezultat i kësaj zbritje në ditët vijuese  do të ketë edhe rënie të lehta të temperaturave maksimale. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s”, thuhet në njoftimin e tyre, raporton lajmi.net.