Pensionistët ndjehen të poshtëruar nga shteti

Pavarësisht premtimit për rritje të pensioneve për 25 për qind, pensionistët kontribut dhënës ndjehen të përbuzur dhe të poshtëruar nga shteti. Ata i marrin 112 euro, të cilat i konsiderojnë si ndihma sociale.

Lajme

12/03/2014 09:48

Pensionistët kosovarë ndjehen të fyer, madje edhe të poshtëruar nga institucionet e Kosovës, pasi që pensionet që i marrin, më shumë u ngjajnë ndihmave sociale se sa kontributit të tyre disavjeçar për të ndërtuar themelet e shtetit të Kosovës.

Edhe pse kryeministri Hashim Thaçi ka marrë vendim për ngritjen e pensioneve për 25 për qind, prapë pensionistët kontributdhënës ndjehen të fyer për pensionin që e marrin, shkruan gazeta “Zëri”.

Një pension në vlerë prej 112 eurosh është i pamjaftueshëm dhe ofendues për Shaban Prebrezajn, i cili për 39 vjet rresht ka punuar në Elektro-Kosovë.

“Në Elektrokosovë kam punuar për 39 vjet rresht dhe çdo herë kam paguar kontributin që është dashur ta paguajmë për pension. Dhe tash i marr 112 euro dhe kjo nuk është e drejtë për neve. Prej kësaj Qeverie nuk pritet asgjë e mirë”, është shprehur Shabani.

Njësoj si Shabani mendon edhe një tjetër bashkëmoshatar i tij, i cili thotë se më shumë se gjysma e pensionit i shkon për ilaçe.

Që të dy ishin në kafenenë e Shoqatës së Pensionistëve të Komunës së Prishtinës dhe jo vetëm këta dy pensionistë, por të gjithë e qanin të njëjtin hall, se shteti nuk po ua “jep hakun” atyre.