PDK nuk është ndarë

Ardian Arifaj thotë se PDK s'është ndarë, me largimin e Limajt dhe Krasniqit. Mendon se përçarjet ndodhën jo për parime, por për shkak të pakënaqësive me ndarjen e pushtetit. Pohon se PDK'në e dëmton Nisma dhe mbetet të shihet si do ta menaxhojë ajo krizën.

Lajme

04/03/2014 12:50

Analisti Ardian Arifaj thotë se PDK nuk është ndarë me largimin e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, të cilët ditë më parë zyrtarizuan partinë e tyre të re “Nisma për Kosovën”.

Largimi i dy prej figurave më të rëndësishme, sipas tij, nuk erdhi për shkak të parimeve, vlerave dhe ideologjisë, por për shkak të pakënaqësive me ndarjen e pushtetit.

Arifaj, në një intervistë për lajmi.net, deklaron se këto lëvizje pritet ta dëmtojnë partinë në pushtet, por a do të jetë goditje e rëndë apo jo, do të varet se si do ta menaxhojë PDK këtë gjë.

Lajmi.net: A qëndron krahasimi midis ndarjes së LDK’së në vitin 2006 me zhvillimin e fundit në PDK kur prej saj dolën dy figura të rëndësishme si Fatmir Lima dhe Jakup Krasniqi dhe  themeluan subjektin e tyre politik?

Ardian Arifaj: Ka dhe nuk ka paralele. Aty ku mungojnë paralelet është se ndarja e LDK’së ka ndodhur në Kuvend të saj, kur disa kanë qenë të pakënaqur me mënyrën se si është zhvilluar Kuvendi dhe kush ka fituar në Kuvend. Pastaj, kjo pakënaqësi ka eskaluar. Ndërsa, në PDK kjo nuk ka ndodhur në Kuvend, por ka ndodhur mes dy Kuvendeve të partisë.

Këto janë ato dallimet.

Por, ku mund të them se ka ngjashmëri, tek fakti që kemi të bëjmë me zyrtarë të lartë të partisë. Ndoshta, simbolikisht, është që të dy kanë qenë Kryetarë të Kuvendit, edhe Daci dhe Krasniqi. Pra, kemi të bëjmë me zyrtarë shumë të lartë të partisë, të cilët nga pakënaqësia dalin nga partia dhe formojnë një parti të re.

Një ngjashmëri tjetër shumë e rëndësishme për qytetarin e Kosovës është që këto pakënaqësi nuk janë për shkak të parimeve, vlerave, ideologjisë, por në fakt janë pakënaqësi me ndarjen e pushtetit, me ndarjen e “ëmbëlsirës” në këtë rast mes zyrtarëve. Pra, nuk është bërë për ideologji, për parime, për diçka që ata besojnë shumë, për mosmarrëveshje rreth asaj se ka duhet të shkojë Kosova. Por, ndarja është bërë për shkak të asaj që kanë qenë të pakënaqur me atë çfarë kanë marrë nga pushteti. Kjo është paralelja më e rëndësishme dhe të dy rastet janë për keqardhje për qytetarin e Kosovës.

Lajmi.net: Pra, s’mund të bëhet paralele e njëjtë me LDK’në, kur atje janë larguar numër i madh njerëzve, ndërsa nga PDK janë larguar dy figura të saj, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi? Apo, kjo do të shihet më vonë?

Ardian Arifaj: Kjo na detyron të shikojmë pak se si funksionojnë partitë në përgjithësi në Kosovë. Mënyra se si e tërheq votën partia politike në Kosovë është me lidhje klienteliste që i krijon me bazën me votuesin. Çdokush për shkak të një lidhje apo afrie me partinë nxjerr njëfarë benifiti, pra mundësia i krijon votuesve të vet për të fituar diçka, qoftë një vend punës, qoftë diçka më shumë apo më pak.

Nuk është me rëndësi vetëm emri sa është me rëndësi edhe kjo puna e këtyre lidhjeve që individët i sjellin, lidhjet të cilat mund të shndërrohen në disa qindra vota, mos të themi mijëra vota. Në rastin e Kosovës, këto qindra ose mijëra vota mund të vendosin, cila do të jetë partia e parë ose cila do të jetë partia e dytë, kush do të jetë kandidati i parë të cilit i ofrohet posti i Kryeministrit.

Pra, nuk bën të nënçmohet pesha e asnjërit. Por, përsëri, ajo që mbetet më e rëndësishme tani është se si do ta menaxhojë këtë rast PDK’ ja këtë fazë.

Edhe zyrtarë të PDK’ së e pamë që po e pranojnë që është një goditje për partinë. Por, a do të jetë goditje e rëndë apo jo, do të varet nga ajo si do ta menaxhojë së pari PDK këtë largim të një grupi të vogël të njerëzve të saj.

Lajmi.net: Kjo që ka ndodhur, a mund të quhet ndarje e PDK’së?

Ardian Arifaj: Nuk është ndarje e PDK’ së. Emrat që i njohim ne si themelues dhe si fytyra kryesore të PDK’së ende janë në PDK. Janë vetëm dy nga shumë fytyra të PDK’ së që kanë dalë nga partia.

Lajmi.net: Në çfarë mase e konsideroni se “Nisma për Kosovën” mund ta dëmtojë PDK’në  zgjedhjet parlamentare?

Ardian Arifaj: Kjo do të varet të themi nga muhabetet në muajt para zgjedhjeve, në këtë rast si PDK, si “Nisma” i dinë të palarat e njëri-tjetrit. Nëse e degjenerojnë garën politike në një zbulim të palarave të njëri-tjetrit, sigurisht që do të përfshihen edhe partitë tjera, sepse nuk do t’ i tundojnë kësaj nxitje për të hyrë në këtë debat për t’ia nxjerrë të palarat njëri-tjetrit dhe ta degjenerojnë tërësisht debatin politik në Kosovë.

Kjo do të jetë e keqe edhe për partinë, edhe për votuesin.

Nëse flasim për partinë e re, sfida kryesore do të jetë të arsyetojë ekzistencën e vet. Kosova ka nevojë për parti të re, por një parti me një kualitet krejt tjetër prej partive që kemi pasur deri më tani.

Ne dëgjuam zyrtarët e partisë së re që përmendën vlera, vizion, parime, por nuk dëgjuam për çfarë parime konkretisht flasin, çfarë vizioni konkretisht po flasin, për çfarë vlera konkretisht po flasin, që këta i paskan dhe tjerët nuk i kanë.

Edhe për vetë partinë e re do të jetë që të fokusohet në një fushatë e cila do ta artikulojë këtë vizion se si e sheh Kosovën në të ardhmen sesa të hyjë në zbulimin e të palarave të njëri-tjetrit, e cila do të jetë një betejë e humbur për të gjitha partitë të cilat do të lëshoheshin në të.

Nëse gara do të bëhej për të tërhequr votues të rinj, e kjo duhet me qenë synim i të gjitha partive politike, sepse është i madh trupi i votuesve që nuk votojnë, e ata t’i bindë jo me fjalor negativ, por me një vizion vërtet të qartë çfarë duhet të bëhet në Kosovë.

Lajmi.net: Por, megjithatë, a prisni që “Nisma” ta dëmtojë PDK’në?

Ardian Arifaj: Përgjigja e parë normalisht ka me qenë po, e dëmton. Disa vota patjetër që do t’i  marrë, qoftë ai emër, qoftë ky emër, pra i tërheqin disa vota për shkak të këtyre hileve klientaliste që i përmendëm më herët. Pra, është absolutisht e saktë që do t’i marrë disa vota. Por, sa vota do t’i marrë, sa do ta dëmtojë, do të varet shumë nga zhvillimet  e mëtutjeshme.

Jo ajo çfarë ka ndodhur tani, por ajo çfarë do të ndodhë në këtë muajt në vijim. Pra, sa do ta menaxhojë mirë PDK’ ja këtë krizë dhe këtë situatë të re, por edhe si do ta artikulojë nevojën për ekzistencë partia e re.

Lajmi.net A mendoni se në total “Nisma” nuk mund të fitojë përqindje të madhe të votave, por mund t’i marrë PDK’së mjaftueshëm vota sa për ta nxjerrë atë partinë e dytë?

Ardian Arifaj: Nuk mund të jap përgjigje definitive në këtë moment. Duhet të presim ofertën e partisë së re, e këtë sigurisht do ta pres edhe votuesi, jo unë si qytetar, por çdo votues do të presë se çfarë po ofron konkretisht kjo parti e re.

Diçka që kanë dhënë paritë deri tani, lidhjet e reja klientaliste, atëherë shumica do të thonë “jo, unë veç kam lidhje me një parit, nuk kam nevojë ta ndërroj tani lidhjen time dhe ta provoj me një parti të re.”

Por, nëse del me diçka të fortë, të qëndrueshme dhe bindëse, atëherë mund të shkaktojë mjaft dëme.

Prapë po them, edhe PDK’ ja në këtë rast nuk bën ta nënçmojë edhe mundësinë që kjo parti t’i marrë disa mijëra vota, sepse mund të vijë puna që ato disa mijëra vota të jenë vendimtare për ta përcaktuar kush është i pari kush është i dyti.

Ne e pamë në zgjedhjet komunale në shumicën e herave patëm garë shumë të ngushtë në të cilën disa qindra vota vendosën cili është vendimtar.