PDK-ja mbledh Shtabin Zgjedhor, përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por edhe Lëvizja Vetëvendosje, dy parti që në vazhdimësi kanë përsëritur se janë të gatshme edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme, në rast se nuk gjendet zgjidhja për të dalë nga situata e krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, tashmë kanë filluar mbledhjen e shtabeve zgjedhore dhe përgatitjet për këtë proces. 

Lajme

04/11/2014 13:32

Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, një burim zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është informuar nga anëtarë të shtabeve zgjedhore të PDK-së dhe VV-së për përgatitjet që kanë filluar të bëhen për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në pamundësi për të krijuar institucionet, përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përkundër përpjekjeve dhe takimeve me liderët të presidentes Atifete Jahjaga, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje në “tavolinë”, të pranueshme, gjithëpërfshirëse dhe në kuadër të Kushtetutës, PDK-ja është duke parë zgjedhjet si opsion të pashmangshëm për të zgjidhur ngërçin politik.

Një zyrtar i lartë i PDK-së, ka pranuar për lajmi.net se partia e tij i ka ftuar tashmë në një takim përfaqësuesit e të gjitha shtabeve zgjedhore, me qëllim përgatitjen dhe bashkërendimin sa më të mirë të mundshëm të punës që ka të bëjë me zgjedhjet.

“Duke pasur parasysh barrikadimin e bllokut LDK-VV-AAK-Nisma dhe përpjekjet e tyre që të formojnë institucionet duke shkelë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutën, kemi vlerësuar se opsioni i vetëm, edhe pse jo i pëlqyeshëm, për dalje nga kjo situatë, është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ky zyrtar i lartë i PDK-së, me kusht anonimiteti.    

“PDK-ja, por edhe presidentja me angazhimin e saj, edhe miqtë ndërkombëtar me mesazhet e tyre, janë përpjekur për të tejkaluar ngërçin, porse që të gjithë këta faktorë janë të mendimit se në fund të fundit, është më mirë të organizohen zgjedhjet sesa të lejohet shkelja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës, sepse do të ishte një shembull i keq për demokracinë tonë të re”.   

Prandaj, sipas këtij zyrtari, duke pasur parasysh se zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen në afat ligjor brenda 45 ditësh, PDK-ja, për të mos humbur kohë, tashmë ka thirrur mbledhjen e shtabit të saj zgjedhor. /lajmi.net/