PDK-ja i drejtohet shumë shpejt Gjykatës Kushtetuese

Nga Partia Demokratike e Kosovës është bërë me dije se ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ngjarjen e sotme në Kuvendin e Kosovës. Nënkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj tha se sot u tentua të uzurpohet institucioni më i lartë i shtetit.

Lajme

17/07/2014 18:28

Pas takimit që zgjati më shumë se dy orë në Kryesinë e PDK-së, Enver Hoxhaj, në emër të kësaj partie, ka thënë se e dënojnë ashpër ngjarjen e sotme në Kuvend, ku partitë, siç i quajti ai, humbëse, vepruan kundër Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi të Kuvendit dhe në kundërshtim me vullnetin qytetar.

“PDK dënon ashpër ngjarjen e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku u tentua të uzurpohet institucioni më i lartë i shtetit”.

“Partitë politike humbëse të zgjedhura të 8 qershorit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe rregulloren në fuqi të Kuvendit, si dhe në kundërshtim me vullnetin dhe verdiktin e qytetarëve të vendit, sot dhunuan institucionin më të lartë të vendit, duke e shndërruar atë në arenë të imponimit arbitrar të vendimeve të kundërligjshme”.

“Si parti politike më e madhe në vend, e me besimin më të madh qytetar dhe në pajtim me filozofinë politike e shtetformuese dhe respektuese të institucioneve, PDK do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të kërkuar rivënien e legalitetit dhe legjitimitetit në këtë institucion”, deklaroi Hoxhaj pas mbledhjes së PDK-së.

I pyetur se kur do të ndodhë një gjë e tillë (drejtimi Gjykatës Kushteteuse), Hoxhaj ka thënë se kjo është vetëm çështje ditësh, për të mos thënë çështje orësh .