PDK do zgjedhje me Ligj të Ri

Nënkryetari i PDK’së, Adem Grabovci, thotë se kjo parti nuk e ka diskutuar deri tash opsionin e mbajtjes së zgjedhjeve në qershor. Thotë se PDK angazhohet që zgjedhjet të mbahen me Ligj të ri Zgjedhor, me reformë, në vjeshtën e këtij viti.

Lajme

23/01/2014 20:10

Partia Demokratike e Kosovës, si forca më e madhe politike në vend, zyrtarisht nuk ka bërë ende të njohur qëndrimin e saj për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Jozyrtarisht mësohet se kjo parti si lidere e koalicionit qeveritar, për shkak të telasheve të shkaktuara në Kuvend nga mungesa e numrave, po shqyrton seriozisht mundësinë e shkuarjes në zgjedhje në muajin qershor, një opsion ky i përkrahur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, zyrtarisht Nënkryetari i kësaj partie, Adem Grabovci, në bisedë me lajmi.net, thotë që PDK s’ka diskutuar deri tash për opsionin e qershorit.

Sipas tij, kjo parti angazhohet për zgjedhje të rregullta, të parapara me kalendarin zgjedhor.

 “Qëndrimi i PDK’së… ne ende nuk e kemi diskutuar”. 

“Një është e ditur, se ky vit është vit zgjedhor dhe zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen në fund të këtij vitit, në vjeshtën e këtij viti”.

“Por, ajo që është shumë me rëndësi, angazhimi i PDK’së është që të përfundohet reforma zgjedhore. Pra, të përgatitet Ligji Zgjedhor, për t’i ofruar qytetarëve një sistem sa më të thjeshtë, sa më të kapshëm, sa më të pranueshëm”.

“E gjithë kjo me qëllim që të pamundësohet keqpërdorimi i votës dhe i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe gjegjësisht t’i mundësohet qytetarit që vullnetin e tij të shkojë aty ku vërtetë dedikohet”.

Pas largimit të disa deputetëve, koalicioni aktualisht ka vetëm 55 deputetë, nga 61 sa janë të nevojshëm për të kaluar shumicën e vendimeve në Kuvendin e Kosovës.

Kjo është parë si një arsye e fortë nga LDK për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor.

Por, Adem Grabovci i PDK’së, i cili është edhe Shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie, thotë për lajmi.net se koalicioni s’ka asnjë problem sa u përket numrave në Kuvendin e Kosovës.

“Ne nuk kemi kurrfarë problemi të numrave”.

“Këtë e kemi treguar edhe me vendimin e fundit, do të thotë me aprovimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës. Do të vazhdojmë kështu deri në fund të mandatit dhe nuk e kemi as dhe shqetësimin më të vogël për atë çështje”.

“Koalicioni është shumë stabil dhe shumë i sigurt. Kështu do të jetë deri në fund të mandatit. Ne do të përgatitemi sa më mirë për zgjedhjet e ardhshme nacionale”.