PDK bojkoton Kuvendin

Me vetëm 45 deputetë të pranishëm në sallë, Kuvendi nuk ka mundur ta vazhdojë punën. PDK sërish ka bojkotuar seancën, bashkë me AKR dhe minoritetet. Hetimi i PTK’së mbetet i bllokuar. Opozita thotë se koalicioni qeveritar “nuk e ka gjatë”.

Lajme

17/10/2013 10:02

Deputetët e partisë më të madhe në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, edhe sot kanë bojkotuar seancën e Kuvendit të Kosovës, e si pasojë Komisioni Parlamentar për hetimin e procesit të privatizimit të PTK’së ka mbetur edhe më tej i pafunksionalizuar.

Kanë munguar po ashtu edhe AKR e minoritetet, të cilat janë në koalicion qeveritar.

Të pranishëm në seancën e sotme kanë qenë 45 deputetë.

Privatizimi i PTK’së është bllokuar pas kërkesave të shumta për shtyrje të nënshkrimit të kontratës, herë nga ana e fituesit të tenderit, Konsorciumi Axos & Najafi, e herë nga ana e Qeverisë së Kosovës. Dje, Komisioni Qeveritar i Privatizimit të 75% të aksioneve të PTK’së ka vendosur që nënshkrimi i kontratës për shitjen e kësaj kompanie të shtyhet për 26 dhjetor të këtij viti.

Deputeti i AAK’së, Burim Ramadani, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës e ka përmendur mungesën e deputetëve të PDK’së në seancë.

“Edhe një herë po e them se mirë po duket Kuvendi pa PDK’në”.

“Duhet ta theksoj një veprim të keq që po ndodh për tentim-bllokim për të bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës. Është turp kjo çka po ndodh në Kuvendin e Kosovës, sidomos në këtë kohë kur qytetarët e Kosovës po dëgjojnë alternativat politike”, ka thënë deputeti Ramadani.

“Qeveria ka nisur procesin e rrëzimit të vetes”, ka thënë Ramadani.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, tha se kjo seancë është “dëshmia më e mirë” e bllokimit të punës nga koalicioni qeveritar.

“Veprimi i tillë i Qeverisë dhe i deputetëve të koalicionit tregon se kjo Qeveri dhe këto parti nuk e kanë gjatë”, tha Beqiri.

Ndërsa Visar Ymeri, Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Kosova është aktualisht pa Qeveri dhe pa shumicë qeveritare.

“Komisioni hetimor të cilin po e kundërshtojnë është i themeluar me 40 nënshkrime dhe ai vetëm duhet të plotësohet”, tha Ymeri.

“Ky veprim i Qeverisë dhe i koalicionit qeverisës tregon që në procesin e privatizimit të PTK’së ka shumë për të hetuar”.

“Ne jemi të vendosur që të themelohet ky komision dhe nuk do të pranojmë që asnjë pikë tjetër të mos procedohet në Kuvend pa u funksionalizuar ky komision”.

Një ndër të vetmit deputetë të PDK’së të pranishëm në seancë, Hydajet Hyseni, ka kërkuar nga pozita dhe opozita një marrëveshje që të dilet nga kjo situatë.

Ai ka përmendur shembullin e miratimit të buxhetit në SHBA në marrëveshje me demokratët dhe republikanët.

“Është nisur gabim kjo punë nga të dyja palët. Duhet të ketë marrëveshje. Aty ku është në pyetje interesi dhe stabiliteti i vendit, duhet të funksionojë instituti i marrëveshjes”, tha Hyseni.

Por, ideja e tij nxiti reagimin e deputetit të LDK’së, Sabri Hamiti.

“Po bën gabim fatal që po i bën të barabartë deputetët që vijnë dhe ata që nuk vijnë në Kuvend. E mira dhe e keqja nuk bëhen bashkë as me anekdotë, as me filozofi”, tha Hamiti, duke iu referuar një anekdote me të cilën Hydajet Hyseni arsyetoi idenë e tij.