Pavarësia e Malit të Zi kishte ndikim pozitiv edhe në pavarësimin e Kosovës (Video)

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur një fjalë rasti në ceremoninë e cila u organizua sot në Institucionin e Arsimit Universitar AAB në Prishtinë, me rastin e 9-vjetorit të shtetësisë së Malit të Zi.

Lajme

14/05/2015 11:14

Në fjalën e tij para  të pranishmëve  ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësueses të jetës poltike -institucionale e kulturore të Malit të Zi, si dhe ambasadorëve të vendeve të ndryshme në Kosovë, kryeparlamentari Veseli bëri një elaborim të marrëdhënieve që Kosova dhe Mali i Zi kultivojnë ndërmjet tyre, si dhe të rëndësisë që kishte pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006 për procesin e pavarësisë së Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se të dyja vendet janë duke jetuar një epokë të re marrëdhëniesh, të bazuara mbi parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë. Nisur nga ky fakt, sipas kryetarit Veseli, sot mund të konstatohet se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi janë një shembull shumë pozitiv për të gjithë rajonin dhe më gjerë.

“Pavarësia e Malit të Zi, e konfirmuar nga vullneti i popullit në vitin 2006, ka qenë pa diskutim një ngjarje progresive për paqen, stabilitetin dhe forcimin e demokracisë në Ballkanin perëndimor“, theksoi kryetari Veseli, thuhet në një njoftim të Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se shtetësia e këtij vendi ishte një argument edhe më shumë se çdo projekt i vazhdimësisë së ish-Jugosllavisë, ishte historikisht i tejkaluar dhe politikisht i rrezikshëm.

Ai  tha se pavarësia e Malit të Zi e vitit 2006, duke ndodhur pikërisht në momentet e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ka ushtruar një ndikim pozitiv, duke dhënë argument shtesë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe i domosdoshëm, politikisht dhe historikisht.

“Nëse vetë qytetarët e Malit të Zi, që nuk kishin përjetuar dhunën e ushtrisë së Millosheviqit, nuk dëshironin që të jetojnë nën një çati politike me Beogradin, pse duhej kërkuar diçka e tillë nga ne kosovarët, që sapo kishim lënë pas një luftë me mijëra viktima, me 1 milion të dëbuar dhe me vendin e shkatërruar“.

“Ne sot jemi të lumtur që Prishtina dhe Podgorica ndajnë të njëjtat pikëpamje mbi nevojat aktuale të rajonit dhe të ardhmen e tij. Mbi këtë bazë, të dy vendet tona janë duke zhvilluar marrëdhënie shumë të mirë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”, tha ndër të tjera kryetari Veseli.

YouTube player