Pasojat ekonomike të vonesës së konstituimit të institucioneve – Lajmi.net
Pasojat ekonomike të vonesës së konstituimit të institucioneve
Autori: Albert Ahmeti EkonomiLajmePolitikë 10:00, 27 July 2017
Edhe rreth një muaj e gjysmë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, konstituimi i institucioneve të reja nuk duket të jetë afër. Kjo për shkak se asnjëri subjekt politik nuk ka fituar numër të mjaftueshëm të deputetëve për formimin e institucioneve, ndërsa koalicionet paszgjedhore duken vështirë të arritshme.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se vonesat në konstituimin e institucioneve të reja do të kenë pasoja të mëdha për ekonominë e Kosovës. Ata theksojnë nevojën e rishikimit të buxhetit, në mënyrë që të mund të kryhen obligimet e Qeverisë për disa projekte të mëdha, pasi ekzekutivi i vendit ka 112 milionë euro mungesë buxhetore për shkak të mosfunksionimit të Parlamentit dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i Buxhetit. Ata gjithashtu thonë se futja në një krizë politike si ajo e vitit 2014 do të “frikësonte” investitorët e jashtëm.

Kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë për lajmi.net se agjenda politike është duke dominuar tek subjektet politike në Kosovë, e që sipas tij, në një vend ku agjenda politike dominon atëherë agjenda ekonomike anashkalohet.

Ai ka thënë se situata rreth konstituimit të institucioneve të reja po ngjason me krizën politike në të cilën ishte futur vendi pas zgjedhjeve të vitit 2014.

Një krizë e tillë sipas Gërxhaliut do ta dëmtonte vendin si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.

“Në aspektin intern, jemi dëshmitar të një realiteti të hidhur që ka të bëjë me mosrishikimin e buxhetit për vitin 2017 dhe ju e dini që nga ky buxhet ekzistojnë shumë projekte ekzekutues e të  cilëve janë sektori privat dhe nëqoftëse nuk do të ketë rishikim atëherë do të ketë ngadalësim të pagesave do të ketë mungesë të alokimit të mjeteve dhe me siguri që të vetmit që do të përfitojnë do të jenë bankat sepse prapë sektori privat dhe bizneset duhet të drejtohen tek bankat dhe e tërë kjo e dëmton Kosovën edhe në aspektin ekonomik edhe në aspektin social, por edhe në aspektin psikologjik”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Kurse, në aspektin e jashtëm sipas tij, Kosovës i dëmtohet edhe më shumë imazhi dhe nuk rritet atraktiviteti për investitor të huaj.

“Në asketin ekstern, nuk do të kemi hapësirë për të rrit atraktivitetin për investitor të huaj sepse në qoftëse gjithmonë kemi këtë formë të qasjes drejt institucioneve definitivisht imazhi i dëmtuar do të dëmtohet më tepër. Dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që në tetor do të kemi zgjedhje në nivelin lokal, kampanja parazgjedhore do të jetë një muaj, lind pyetja se a e ka Kosova këtë komoditet të eksperimentoj? Prandaj, është koha kur duhet që prioritet i prioriteteve të jetë zhvillimi ekonomik dhe institucionet të jenë në funksion të zhvillimit dhe jo pengesë e zhvillimit”, ka shtuar Gërxhaliu.

Edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi ka thënë për lajmi.net se kriza eventuale rreth krijimit të institucioneve të reja do të kishte pasoja në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai ka rikujtuar pasojat e krizës politike të vitit 2014.

“Praktika e vitit 2014 na ka treguar se ngërçi politik është jashtëzakonisht i dëmshëm për ecuritë makroekonomike por edhe imazhin e vendit. Në vitin 2014, si pasojë e krizës kishin rritjen më të ulët ekonomike 1.2%. Banka Botërore ka parashikuar sivjet rritje ekonomike në Kosovë rreth 4%, por kjo vështirë se do të arrihet nëse kemi vonesa në krijimin e institucioneve. Shpresoj të mos përsëritet viti 2014 dhe të kemi sa më shpejt krijimin e institucioneve. Praktikat demokratike kanë dëshmuar se mbajtja e zgjedhjet dhe emërimet në krye të institucionet shkaktojnë një pasiguri te investitorët e brendshëm dhe ata të jashtëm”, është shprehur Gashi.

Më tej, Gashi ka përmendur pasojat e mundshme të vonesës rreth krijimit të institucioneve.

“Pika më delikate është inkurajimi i investimeve të jashtme direkte dhe zbatimi i projekteve të mëdha publike. Vonesat në krijimin e institucioneve krijojnë edhe hapësira më të mëdha për korrupsion dhe punësime të paligjshme në administratën dhe kompanitë publike”, ka deklaruar Gashi.

Në fund Gashi ka thënë se çdo parti politike ka përgjegjësi shtetërore e qytetare dhe se përplasjet politike që i kemi pasur gjatë legjislaturës së kaluar kanë qenë imazhi më i keq për vendin. Prandaj, ai thotë se jo vetëm klasa politike, por secili qytetar i Kosovës e ka për obligim që të ruaj imazhin e shtetit të tij.

Ndërsa, ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti ditë më parë ka thënë se Qeveria ma 112 milionë euro mungesë buxhetore për shkak të mosfunksionimit të Parlamentit dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i Buxhetit, prandaj ai ka ritheksuar nevojën e rishikimit të buxhetit. Hoti ka përmendur obligimit e Qeverisë për të cilat ka mungesë të mjeteve.

“I pari është për skemat pensionale dhe sociale, për shkak të mungesës dhe vonesës në riklasifikimin e veteranëve të luftës… E dyta, kemi obligimin për Autostradën Prishtinë-Hani i Elezit. Këtu janë 80 milionë euro, që duhet të gjejmë format se si t’i rishpërndajmë, rialokojmë prej projekteve të tjera. E treta, mjetet që na duhen për zgjedhjet lokale ngase i kemi shpenzuar mjetet që i kemi paraparë në buxhetin e rregullt për zgjedhjet lokale sivjet, janë shpenzuar për zgjedhjet e përgjithshme. E katërta, është vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit për kontratën në Ministrinë e Punëve të Brendshme për çështjen e pasaportave prej 5.3 milionë eurove që tash pritet të merret vendimi përfundimtar dhe kjo do të jetë një ngarkesë në veçanti për Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse nga buxheti i Ministrisë së Brendshme sipas ligjit duhet të kryhet ky obligim. Kemi një obligim tjetër prej 0.6 milionë euro për të shlyer obligimin lidhur me hartimin e studimit të fizibilitetit të Trepçës që e kemi iniciuar bashkë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe me AKP-në”, ka thënë ndër të tjera ministri Hoti. /Lajmi.net/

 

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bow Master Japan
  • Play Turbo Racing 3
  • Play iStunt 2
  • Play Rock Wheels