Pas zgjedhjeve serbe pritet zgjidhja për kodin telefonik

Përfundimi i zgjedhjeve në Serbi pritet të zhbllokojë edhe zbatimin e marrëveshjes për telekomunikacionin me Kosovën, në bazë të të cilit do të merret prefiksi ndërkombëtar +383.

Lajme

25/04/2016 20:46

Edhe pse sipas marrëveshjes së Brukselit, Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) duhej t’ia jepte më 15 mars kodin telefonik Kosovës, pala serbe ka ndërhyrë për të kërkuar edhe pak kohë për këtë çështje.

Kryetari i Bordit të Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi tha për Top Channel se janë në kontakt me ITU-në dhe shpresojnë që marrëveshja e telekomit të nisë të zbatohet së shpejti.

“Me sa kemi informacione, ITU-ja e ka trajtuar lëndën dhe pritet në çdo moment të marrë vendimin lidhur me këtë çështje. Mirëpo kemi gjithashtu informacione se, pala serbe ka ndërhyrë padrejtësisht në procesin e ITU-së dhe është duke u munduar që ta zvarrisë, apo ta bllokojë për momentin, çështjen e kodit. Ne jemi të bindur se, në bashkëpunim edhe me BE-në, e cila ka qenë palë ndërmjetësuese në dialogun e Brukselit, kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt”, tha Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të AKEP.

Edhe ministrja kosovare për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë shkurtimisht në një përgjigje elektronike se, Kosova tanimë i ka kryer të gjitha detyrimet e saj për marrëveshjen e telekomit dhe i mbetet Bashkimit Europian, që të kërkojë nga ITU-ja caktimin e kodit për Kosovën.

Kostot e përgjithshme të dëmeve të shkaktuara nga mungesa e kodit telefonik, që nga paslufta, kanë arritur në mbi 200 milionë euro, pasi Kosova përdor tri prefikse; atë të Serbisë për telefoninë fikse, atë të Monakos për njërin prej operatorëve të telefonisë së lëvizshme, si dhe atë të Sllovenisë për operatorin tjetër më të madh në treg. /TopChannel