Partitë serbe: Bojkoti i zgjedhjeve nuk është zgjidhje

Serbët e veriut të Kosovës, vazhdojnë të presin thirrjen nga Beogradi që të dalin në zgjedhjet e 8 qershorit. Përfaqësues të partive politike të asaj pjese, vlerësojnë se bojkoti i zgjedhjeve të 8 qershorit, nuk është zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë.

Lajme

30/05/2014 18:01

Bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovës, nuk është zgjidhje, kanë konstatuar përfaqësues të partive politike serbe, gjatë një debati të organizuar sot në Mitrovicën e Veriut.

Në këtë debat morrën pjesë ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, themelusi i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, Dushan Janjiq, Kryetari i Partisë Demokratike Përparimtare dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq dhe përfaqësues tjerë politikë të serbëve në Kosovë.

Ksenia Bozhoviq nga “Lista Serpska”, gjatë këtij takimi tha se bojkotimi i zgjedhjeve të 8 qershorit nga ana e partive politike serbe në Kosovë, nuk paraqet ndonjë zgjidhje. Sipas saj, serbët në pjesën veriore, presin që të kenë një thirrje konkrete nga Qeveria e Serbisë lidhur me pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje.  

“Shpersoj që Qeveria e Serbisë, ditëve në vijim do të del me një qëndrim konkret dhe t’i bëjë thirrje serbëve në veri, por edhe në jug të lumit Ibër që të dalin me një numër sa më ta madh në këto zgjedhje. Ky popull e pret një gjë të tillë nga shteti i tyre”.

Ambasadori i Norvegjisë, Jan Barthu, tha se pajtohet me të gjithë ata që mendojnë se bojkoti i zgjedhjeve, nuk paraqet ndonjë zgjidhje për popullin serb në Kosovë.

“Për shembull, Kushtetuta e Kosovës thotë se nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës, 10 prej tyre janë të garantuara për komunitetin serb. Nëse asnjë qytetar serb nuk del në votim, ose ka një pjesëmarrje të vogël të tyre, prapë do t’i fitoni 10 vende.Por, pyetja është nëse këta dhjetë deputetë do të jenë personat që ju dëshironi t’ju përfaqoesojnë në Kuvend, apo dikush tjetër”.

Edhe analisti nga Beogradi, Dushan Janjiq pajtohet se bojkoti nuk është zgjidhje. Ai kërkon nga partitë politike të nisin fushatën parazgjedhore dhe të mos presin thirrjen nga Beogradi. Ai tha se deri më tani Beogradi, në mënyrë direkte apo indirekte, i ka ftuar serbët e Kosovës që të dalin në zgjedhje.

Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe ministri i MPMS-së, Rashiq, i cili garon në kuadër të listës së përbashkët të serbëve.