Partitë politike me premtime astronomike

Ramush Haradinaj i ka lënë pa fjalë edhe optimistët më të mëdhenj me premtimin që e bëri para nisjes së fushatës zgjedhore se vetëm tre muaj pasi të zgjidhet kryeministër Kosovës do t’i hiqen vizat me Bashkimin Evropian, shkruan sot, gazeta Zeri.

Lajme

30/05/2017 08:09

Ndërsa profesorit të ekonomisë, Avdullah Hotit, kandidatit të koalicionit LDK-AKR për kryeministër vështirë se do të mund t’i besojë ndonjë profesionist i ekonomisë, i cili ka premtuar se nëse ai vjen në krye të ekzekutivit të vendit buxheti i Kosovës do të arrijë në 5 miliardë euro, duke u trefishuar kështu nga buxheti aktual.

Ky premtim mund të jetë i realizueshëm vetëm nëse bashkohet buxheti i Kosovës dhe i Shqipërisë, për të cilën gjë angazhohet i nominuari i lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër, Albin Kurti.

Edhe ky i fundit nuk i ka shpëtuar gjatë këtyre ditëve premtimeve megalomane për votuesit, e njëri ndër ta është se pensioni minimal në Kosovë do të dyfishohet, duke synuar se në këtë mënyrë ta fitojë besimin e dhjetëra mijëra pensionistëve kosovarë.

Ndërsa premtimi më “astronomik” i këtyre ditëve ishte i liderëve të tri partive: Kadri Veselit, i cili premtoi rritje të pagave në sektorin publik për 30%, që përkthyer në shifra i bie rritje të shpenzimeve për këtë kategori buxhetore për hiç më pak se 200 milionë euro, Fatmir Limaj, që premtoi 400 milionë euro investime vetëm në sektorin e bujqësisë dhe Behgjet Pacolli, që premtoi rritje ekonomike të vendit prej 8 për qind, derisa investimet e huaja dhe eksportet vendore po shënojnë rënie të vazhdueshme.

Gazeta “Zëri” i ka analizuar premtimet e parafushatës së këtyre liderëve, të cilat sipas ekspertëve të ekonomisë janë megalomane dhe të parealizueshme, me të cilat, siç thonë ata, synohet vetëm joshja e votuesve më 11 qershor./zeri.info/