“Parku i Paqes” duhet të hiqet

Deputetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon,  ka deklaruar se cfardo bllokimi i rrugës është i papranueshëm, ashtu sikurse edhe barrikada e ashtuquajtur “Parku i Paqes”, e vendosur në urën e lumit Ibër në Mitrovicë. 

Lajme

26/06/2014 11:11

Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Fajon u ka bërë thirrje shqiptarëve dhe serbëve të përmbahen.  

 “Do të nxisja të dyja palët, shqiptarët dhe serbët që të përmbahen nga dhuna dhe përleshjet. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që jeta të zhvillohet normalisht në Kosovë. Po ashtu është shumë me rëndësi që sa më shpejtë kjo barrikadë të hiqet sepse po vërtetohet që situata atje me këtë ‘Park të Paqes’ nga momenti në moment mund të shpërthejë”, ka thënë Fajon.

Eurodeputetja sllovene ka theksuar se është shumë me rëndësi që një vend që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian që të mos vendos bllokada rrugësh.

Fajon ka thënë po ashtu se është e angazhuar bashkë me eurodeputët tjerë që ta “thyejnë murin shengen” për kosovarët, mirëpo sipas saj, përleshje të tilla si ato tek ura në Mitrovicë, nuk i kontribuojnë në asnjë mënyrë ambicieve të kosovarëve për udhëtim pa viza.

“Është një hap me shumë rëndësi që të mos ketë provokime të dhunës, të mos ketë përleshje, sepse çdo tensionim i situatës mund të prolongoj procesin e liberalizimit”.