Pak dobi nga fushata “Konsumoni produkte vendore”

Fushatat e asociacioneve të biznesit dhe organizatave jo qeveritare për të konsumuar produkte vendore nuk po arrijnë t’i bindin qytetarët që produktet e importit t’i uli sa më shumë të jetë e mundur nga shporta e konsumit. 

Lajme

26/10/2014 09:30

Aleanca Kosovare e Bizneseve nga gjysma e këtij muaji ka filluar fushatën “Javët e Biznesit Kosovar 2014” me sloganin “Unë konsumoj prodhime vendore po Ju?”.

Por efektet e saj duken të jenë minimale, pasi që gjatë kësaj periudhe importi i produkteve ushqimore nuk ka rënë. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, për vetëm gjashtë ditët e para të fillimit të kësaj fushate, importi i produkteve ushqimore ka qenë afër 15 milionë euro.

“Vetëm për gjashtë ditë, nga data 15 deri më 21 të këtij muaji nëpër Dogana të Kosovës kanë kaluar produkte ushqimore të importuara në hiç më pak se 14,819,624 euro.

Përgatitjet prej drithërave, miellit, nishestesë apo qumështit janë importuar 1 milion e 859 mijë euro vlerë për këto gjashtë ditë”, ka thënë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Fushata të tilla AKB ka bërë edhe gjatë viteve të kaluara, mirëpo këto fushata nuk kanë ndikuar aspak në uljen e deficitit tregtar, i cili ka shënuar madje rritje nga viti në vit, shkruan gazeta Tribuna.