Pacolli takohet me homologen e Principatës së Lihtenshtajnit, vullnet i dyanshëm për thellimin e bashkëpunimit

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka vazhduar turneun e tij diplomatik në Evropë me takimin bilateral që ai zhvilloi të enjten me Ministren për Punë të Jashtme, Drejtësi dhe Kulturë të Principatës së Lihtenshtajnit, Znj Aurelia Frick.

Lajme

21/06/2018 14:44

Thellimi i marrëdhënieve bilaterale, liberalizimi i vizave, anëtarësimi i vendit tonë në Organizata Ndërkombëtare, avancimi i Agjendës Evropiane dhe dialogu me Serbinë kanë qenë disa nga temat kryesore të këtij takimi në mes krerëve të diplomacisë nga të dyja vendet.

Në vazhdim, Ministri i Jashtëm, Pacolli, ka falënderuar Principatën e Lihtenshtajnit për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur ndaj shtetit të Kosovës; duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Institucioneve të vendit për të thelluar dhe zgjeruar edhe më shumë bashkëpunimin dhe partneritetin institucional në mes dy vendeve nëpërmjet inicimit dhe nënshkrimit të Marrëveshjeve të reja që do të hapnin mundësi të reja.

Numri dy i Qeverisë, tutje ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Organizata Evropiane dhe Ndërkombëtare si dhe kontributin e mundshëm të këtij shteti  në lidhje me liberalizimin e vizave, megjithëse ky vend nuk është anëtarë i BE-së, por vetëm i Zonës Schengen.

Pas përfundimit të vizitës dhe takimeve respektive në Principatën e Lihtenshtajnit, kryediplomati kosovar do të vazhdojë vizitën e tij në Konfederatën zvicerane të premten me 22 Qershor, ku do të pritet nga Shef i Departamentit për Pune të Jashtme, z. Ignazo Cassis.