Pacolli në takim me ambasadorin britanik të ngarkuar me organizimin e Samitit të Londrës, fokus tek ekonomia

Ministri i jashtëm i Kosovës, njëherazi, zëvendëskryeministër i parë, Behgjet Pacolli, priti ambasadorin britanik të ngarkuar me organizimin e Samitit të Londrës, Andrew Page.

Lajme

23/03/2018 14:33

Në vijim të bisedimeve në kuadër të takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, ministri Pacolli e njohu bashkëbiseduesin e tij me përpjekjet për të zgjidhur problemin e lëvizjes së lirë të qytetarëve midis Kosovës dhe Bosnjës, që u mirëprit nga diplomati i lartë britanik.

Më pas mysafiri  prezantoi prioritetet e Presidencës Britanike të Procesit të Berlinit, në planin ekonomik, të çështjeve politike dypalëshe me fokus krimet e luftës dhe personat e zhdukur, si dhe sigurisë.

Diplomati britanik e njohu posaçërisht ministrin Pacolli me iniciativën britanike për personat e zhdukur, që do të drejtohet nga Princi i Uellsit, i përfshirë që më herët në këtë problem.

Ministri Pacolli nga ana e tij, në fillim falënderoi Britaninë e Madhe për angazhimin në rritje në rajon, veçanërisht në Kosovë.

Në vazhdim, ministri prezantoi idenë e tij për një Zonë të Lirë Ekonomike ndërkufitare midis Veriut të Kosovës si një i tërë, me Jugun e Serbisë, zona të mbetura peng i problematikës midis dy vendeve, ndonëse zona me potencial të lartë zhvillimor.

Ai, tutje kërkoi ndihmën britanike për shkolla të arsimit profesional, për teknologjinë dixhitale, për t’i dhënë rinisë shpresën e humbur.

“Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit, ka krijuar energji të re rinore dhe ne duhet ta kanalizojmë drejt këtë energji kah zhvillimi, kah mësimi i shkathtësive të reja profesionale, etj”, tha ministri i jashtëm i Kosovës.

Bashkëbiseduesi britanik e njohu ministrin me mundësitë e reja që krijohen për financime projektesh të Kosovës, me mbështetje britanike, me gjithë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

“Ka një momentum shumë të mirë për rajonin në këtë periudhë – shumë aktivitete, takime rajonale dhe me BE-në, të cilat duhet të shfrytëzohen për përfitime konkrete nga ju, për infrastrukturën, edukimin, etj”, tha ambasadori Page.

Samiti i Londrës, është aktivitet në kuadër të Procesit të Berlinit, iniciativë e Kancelares Merkel, i cili i njeh dhe Britanisë së Madhe një rol të rëndësishëm në inkurajimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor./Lajmi.net/