Pacolli: Popullit i është harxhuar durimi, s’ka më shpresë

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli duke komentuar protestën e sotme, ka thënë se popullit i është harxhuar durimi, pasi ai nuk mund të gënjehet vazhdimisht me ëndrrën e lirisë. 

Lajme

24/01/2015 18:30

Pacolli ka thënë se populli ka ardhur në pikën ku i ka humbur të gjitha shpresat se në vend do të rritet mirëqenia. 

“Dikur në një intervistë kam thënë se do të kalojë koha e dehjes nga fitimi i lirisë dhe pavarësisë. Kam thënë dhe se populli i Kosovës është i duruar, por nuk mund të luhet gjatë me durimin e tij. Populli nuk mund të gënjehet vazhdimisht me ëndrrën e lirisë, apo me rritje të vogla rrogash dhe pensionesh ndërsa sistemi ekonomik nuk prodhon. Vjen një kohë kur mbarojnë dhe gënjeshtrat që funksionojnë për të manipuluar popullin”. 

“Siç e tregoi protesta e sotme, situata në mes të qytetarëve të Kosovës është inkadeshente. Ka shumë arsye për të protestuar dhe fare pak për të shpresuar. Pak duhet, një shkrepse nga brenda ose dhe nga jashtë dhe situata mund të shpërthejë. Deklarimet e Jablanoviqit ishin vërtet shumë fyese dhe kishin brenda potencialin për të nxitur revoltë. Ndjenja e pafuqisë që qeveria aktuale e Kosovës tregoi ndaj Serbisë për çështjen e Trepçës ishte poshtëruese dhe krijon ndjenjë të fortë rebelimi”. 

“Cila është zgjidhja për t’ i dhënë kuptim lirisë që nuk është e vërtetë pa mirëqenie ekonomike? Cila është zgjidhja për të administruar drejt pakënaqësinë popullore, ose për të adresuar shqetësimet e saj? Zgjidhja në kushtet kur Kosova është në një situatë delikate edhe për arsye të tjera, nuk është shkrepsja e retorikës agresive, destabilizuese, jopropozuese, por qasja konstruktive. Duhet qasje propozuese dhe realizuese”. 

“Qeveria ka pak kohë për të treguar se gjithë premtimet gjatë fushatës zgjedhore janë serioze. Le të provojë se mund të mbajë vetëm gjysmën e atyre premtimeve për rritje ekonomike, për punësim, për investime të huaja. Por a mundet ta bëjë këtë?”, ka shkruar në Facebook, ish zv.kryeministri i Kosovës.