Pacolli nesër shkon në Serbi si ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës

Ftesa për pjesëmarrje në një konferencë në Novi Pazar që iu bë dje zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka alarmuar autoritetet serbe.

Lajme

20/07/2018 20:18

I ftuar nga udhëheqësi i boshnjakëve të Serbisë, Sulejman Uglanin, Pacolli ka bërë kërkesë për leje në autoritetet serbe, megjithatë zyrtarisht nuk ka marrë përgjigje.

Mirëpo, bazuar në marrëveshjen e Brukselit për Lëvizje të Lirë, nëse përgjigjja për vizita politike nuk refuzohet, atëherë ajo në heshtje miratohet.

Sami Kastrati, shef i zyrës për informim në MPJ i ka thënë lajmi.net se Pacolli nesër do të udhëtojë në Novi Pazar për të marrë pjesë në forumin e boshnjakëve.

Pacolli në Serbi do të udhëtojë si shef i diplomacisë kosovare, ashtu siç i është bërë ftesa nga Këshilli kombëtar i boshnjakëve.

Ftesa e Pacollit është pritur me nervozizëm në Serbi. Dje ka reaguar edhe homologu serb i Pacolli, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se ftesa e boshnjakëve për Pacollin është provokim, mirëpo shteti serb do të sillet “në mënyrë të kulturuar” nëse Pacolli shkon atje.

Në anën tjetër, i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë për mediat serbe se Serbia do të reagojë seriozisht, me përgjegjësi dhe me dinjitet ndaj ftesës së Pacollit.

Këshilli kombëtar boshnjak e ka ftuar Pacollin që të vizitojë Novi Pazarin dhe Rashkën më 21 e 22 korrik. Pacolli u ftua në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës për të folur për të drejtat e njeriut. /Lajmi.net/