Pacolli kërkon të ndryshojë traseja e autostradës Prishtinë-Shkup

Sipas Behgjet Pacollit, autostrada Prishtinë-Shkup duhet të shkojë deri në Ferizaj dhe të kthehet në drejtim të Gjilanit, ndërsa pjesa tjetër e rrugës deri në kufi me Maqedoninë të zgjerohet. Pacolli mendon se Anamorava duhet të lidhet me autostradë moderne.

Lajme

26/03/2014 19:05

Presidenti i Aleancës Kosova e Re dhe Zëvendës kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkon nga Qeveria e Kosovës që t’i ndryshojë projektin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Sipas Pacollit, kjo autostradë duhet të shkojë deri në Ferizaj dhe të kthehet në drejtim të Gjilanit, ndërsa pjesa tjetër e rrugës deri në kufi me Maqedoninë, sipas tij, duhet të zgjerohet.

Kjo për arsye se, sipas Pacollit, Anamorava duhet të lidhet me autostradë moderne.

“Rruga e kombit, Merdare-Vërmicë, përkundër qmimit të lartë, është investimi që është dashur të bëhet dhe sot përbën krenarinë tonë”.

 

“Ndërkaq sa i përket autostradës në drejtim të Shkupit që planifikohet të ndërtohet, mendoj që traseja duhet të ndryshojë, pra që të mos shkohet në kufi me Maqedoninë, por në Ferizaj me një rrethrrotullim modern duhet të drejtohet në drejtim të Gjilanit. Pjesa tjetër drejt Elez Hanit, duhet të zgjerohet dhe të jetë brenda standardeve”.

“Kjo duhet të ndodhë për arsye ekonomike, strategjike dhe në interes të qytetarëve të asaj pjese, ngase Anamorava duhet të lidhet me autostradë moderne”.

“Unë fuqishëm do të lansoj edhe idenë që edhe Gjilani të shpallet zonë e lirë ekonomike, dhe autostrada do të shërbente drejt zhvillimit të hovshëm ekonomik”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.