Pacolli gëzohet për mbylljen e AKP-së

Lajmi se shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës do vijë ligji për mbylljen e Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP) e ka gëzuar kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Lajme

08/02/2015 18:16

Pacolli thotë se një ide të tillë ai e ka dhënë dhe më herët pasi që sipas tij AKP e ka rrënuar ekonominë e Kosovës, duke zhvlerësuar pasuritë e brezave, por sipas tij, kur kjo ide ishte paraqitur në planprogramin e AKR-së, ai ishte “sulmuar egërsisht”.

Pacolli i ka dhënë një rekomandim qeverisë që të themelojë Agjencion të participimeve publike, e cila do të udhëhiqej nga ekspertët dhe të punonte si një ndërmarrje mbi kushtet e tregut dhe parimit të efektivitetit ekonomik.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të Behgjet Pacollit, postuar në Facebook:

Është mirë të mbyllet!

Do mbyllet Agjencioni i Privatizimit. Diçka për tu përshëndetur. E tash?

Qeveria nëpërmjet ministrit të financave po bën të ditur se shumë shpejt do dërgojë në Kuvend ligjin që përcakton mbylljen me afat të Agjencionit të Privatizimit.

Një iniciativë e tillë është për t’u përshëndetur. Është shumë e vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Që nga 2006, kur unë hyra në politikë kam kërkuar një model tjetër privatizimi, privatizim për zhvillim dhe jo rrënim si ky që ka sjellë Agjencioni. Ekonomia e Kosovës është rrënuar, pasuria e brezave është zhvlerësuar, punësimi ka rënë ndjeshëm kryesisht prej këtij Agjencioni. Ky Agjencion nuk i ka shërbyer ekonomisë dhe tash sa moti unë e kam përsëritur këtë. Për këto mendime, për këtë shtyllë të programit ekonomik të AKR-së unë jam sulmuar egërsisht, por kurrë s’kam hequr dorë. Madje në mënyrë të padrejtë më kanë akuzuar dhe për privatizime, një shpifje monstruoze. Unë dhe kompanitë e mija që nga hyrja ime në politik nga viti 2006 kurrë s’kam blerë asgjë prej këtij Agjencioni. Si ndërmarrës me fuqi financiare mbase më leverdiste ta mbështesja, pse unë kisha gjithmonë mundësi të bleja, por e kam refuzuar për parimet e mia.

Sot 9 vjet më pas, kur qeveria ka ardhur tek ideja ime, unë e përshëndes dhe e inkurajoj të veproj shpejt dhe qartë. Nuk di ende termat e ligjit dhe do shprehem sërish kur të vijë koha.

Nuk di si do vijohet më tej me pjesëmarrjen e shtetit në ndërmarrje të caktuara publike, por unë qeverisë do i bëja një rekomandim:

Themeloni një Agjencion të participimeve publike. Ky Agjencion jo në duart e qeverisë, por me bazë të gjerë, i ngritur me ekspertë, do të ishte baza e Partneriteteve Publiko private, ndërmarrje që do të punonin mbi kushtet e tregut dhe parimit të efektivitetit ekonomik.

Unë jam kundër shtetëzimeve dhe kjo që kërkoj është diçka kalimtare në kushtet e Kosovës. Ne jemi në një fazë zhvillimi që shtete të tjera e kanë kaluar prej kohësh dhe që kërkojnë forma bashkëpunimi kësisoj!