Osmani thotë se Kosovës nuk i bën nder takimi i Thaçit me Putinin

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar pas takimit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me atë të Rusisë Vladimir Putin.

Lajme

12/11/2018 14:57

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka thënë se, takimi i sotëm në mes të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, nuk i bën nder Kosovës, shkruan lajmi.net.

Sipas Osmanit, nder për Kosovën do të ishte shtrëngimi i duarve me kangelaren Angela Merkel.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Osmani ka shkruar po ashtu se, shtrëngimi i duarve mes Putinit dhe Thaçit nuk është fare i papritur pasi që sipas saj, për herë të parë në historinë e Kosovës, një politikan shqiptar del haptas në mbështetje të planeve serbe dhe ruse për ndarje të Kosovës.

Postimi i plotë i Osmanit:

Shtrëngimi i duarve mes Putinit dhe Thaçit nuk është fare i papritur. Kjo sepse për herë të parë në historinë e Kosovës, një politikan shqiptar del haptas në mbështetje të planeve serbe dhe ruse për ndarje të Kosovës.

Dhe kjo nuk bëhet rastësisht nga Thaçi. Shpresa që këto akrobacione të rrezikshme mund të shpëtojnë lëkurën e dikujt, mund të jetë njëra nga arsyet.

Kosovës nuk i bënë nder takimi me Putin, si lider autoritar i izoluar nga Përëndimi për shkak të të bëmave të tij në ish-Republikat Sovjetike, e as mesazhi i përquar përmes këtij takimi për një orientim tjetër gjeostrategjik që bie në kundërshtim me vlerat dhe aspiratat tona euroatlantike.

Nder Kosovës do t’i bënte duarshtrëngimi me Kancelaren Merkel, e cila po lufton me ngulm për të mbrojtur kufijtë e Kosovës nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm të vendit tonë.

Por, Thaçit i mungoi dje ajo fotografi, prandaj edhe e zëvendësoi me një të para disa muajve.

Shpresoj që imazhi i sotëm Putin-Thaçi të bindë të gjithë deputetët e pushtetit që ka ardhur koha që copëtimin e vendit ta kundërshtojnë jo vetëm me fjalë por edhe me votë. /Lajmi.net/