Opozita: Mustafa duhet të merr masa ndaj ministrit Jabllanoviq!

Ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, i ka ofenduar nënat e personave të zhdukur nga Gjakova, duke i quajtur ato “egërsira”, pasi nuk i lejuan pelegrinët serbë të hyjnë në kishën e qytetit. 

Lajme

09/01/2015 08:40

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ministri Jabllanoviq duhet të kërkojë falje.

“Qeveria ka hierarki. Janë përgjegjësi e qeverisë deklarimet e secilit. Nuk është mirë që asnjë zyrtar i zgjedhur të ofendojë e veçanërisht të ofendojë nënat e viktimave. Është mirë që të tërhiqet një deklaratë e tillë. Është mirë që të distancohen institucionet e cilido nivel nga deklarimet e tilla”, ka deklaruar Haradinaj të enjten.

Ndërsa deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka deklaruar për “Epokën e Re” se soji i Jabllanoviqit nuk do të kërkojë falje por, sipas tij, kryeministri Mustafa duhet të marrë masa ligjore ndaj vartësit të tij.

“Nuk pres që soji i Jabllanoviqit të kërkojë falje, por nëse pak ka ndjenja njerëzore Isa Mustafa duhet të marrë masa ndaj Jabllanoviqit, pasi është i emëruar i tij në pozitën e ministrit, konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Zgjim Hyseni, ka deklaruar për “Epokën e re” se reagimi mund të vijë vetëm nga qytetarët e Kosovës.

“Ne nuk presim që qeveria Thaçi-Mustafa-Vuçiq të bëjë diçka në këtë drejtim. Ata kanë qenë krejtësisht të vetëdijshëm që Lista Serbe është e themeluar dhe kontrollohet nga Beogradi dhe i kanë futur në koalicion. Nëse do të duhej të kishte reagim, presim reagim nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.