Olters: Kosova ka nevojë për politika të reja ekonomike

Ikja masive e qytetarëve nga Kosova, protestat kundër vendimeve të qeverisë dhe, në përgjithësi, ngjarjet e fundit në Kosovë kanë lënë të kuptohet se është i nevojshëm një debat për zhvillimin ekonomik dhe se ka nevojë të krijohen politika të reja ekonomike

Lajme

18/03/2015 19:56

Kështu vlerëson menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Petter Olters, sipas të cilit duhet të punohet nga të gjithë politikanët, përfshirë këtu Qeverinë dhe partitë opozitare, që së bashku të zhvillojnë një ekonomi moderne për Kosovën.

Petter Olters, në një ligjëratë, ka folur për pikëpamjet e tij për një model ekonomik, që do të shtonte produktivitetin në sektorët kryesorë të ekonomisë dhe do të ndihmonte në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin privat.

“Fillimi i vitit 2015 dhe fillimi i mandatit të qeverisë së re ka qenë në veçanti i vështirë, që ka reflektuar qartë dhe në fund ka reprezantuar sfidat e theksuara që ekzistojnë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Dhe, mendoj që tri ngjarjet e mëdha kanë dominuar kryetitujt gjatë disa javëve të fundit janë, para së gjithash, largimi në masë të madhe i kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, shumica e të cilëve pa dokumente të rregullta, pastaj protesta kundër disa vendimeve të Qeverisë dhe disa nga grevat në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë dhe në miniera. Mendoj së në shumë mënyra këto zhvillime kanë rritur të kuptuarit e nevojës që vërtetë të fokusohet në bërjen e politikave ekonomike, por gjithashtu edhe debat për zhvillim ekonomik”, thotë ai.

Sipas tij, mungesa e perspektives ekonomike e ndier nga shumë kosovarë, ka kontribuar në rritjen e numrit të njerëzve për të kërkuar një jetë më të mirë diku tjetër.

Petter Olters ka folur edhe për mundësitë e investimeve nga të huajt në Kosovë. Rëndësi të veçantë këtu ai i jep energjisë.

Sipas tij, nuk mund të kesh investime të mëdha nëse investitorët nuk janë të sigurt se mund të mbështeten në siguri energjetike.

“Do të thosha se janë tri elemente kryesore për investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë apo të shkojnë diku tjetër. Në njërën anë është infrastruktura publike, në disa fusha kryesore, dhe këtu do ta nënvizoja energjinë, e cila është shumë e rëndësishme. Nuk mund të kesh investime të mëdha dhe kualitative ne vend, nëse investitorët nuk janë të sigurt se mund të mbështeten në siguri energjetike. Dhe përparësitë e kostove dhe karakteristika tërheqëse të ekonomisë së Kosovës nuk janë një argument në Kosovë. Puna e institucioneve publike dhe bashkëveprimi i tyre me sektorin privat dhe, në fund ligjet. Ligjet, rregulloret dhe zbatimi i ligjeve dhe garancia se këto ligje zbagtohen përgjatë sektorëve. Do të ishte shumë më rëndësi nëse këto elemente zbatohen për investime dhe kursime të mëdha”, thotë ai.

Petter Olters mendon se përkushtimi për një strategji afatgjatë të ekonomisë, nuk lidhet vetëm me një qeveri të caktuar.

Sipas tij, duhet të jetë elita politike, përfshirë partitë opozitare dhe ato në pushtet, të gjejnë një konsensus që do të mund të ishte ekonomia moderne për Kosovën.

“Por ideja është që elita politike si e tillë, përfshirë partitë opozitare dhe qeverinë, të gjejë një konsensus se cila do të mund të ishte ekonomia moderne për Kosovën. Çka i ecën Kosovës dhe çka është ajo për të cilën që të gjithë në Kosovë mund të përkushtohen, si dhe cila do të ishte ajo ekonomi që funksionon për Kosovën”, ka thënë Olters.