OKB shfrytëzon armëpushimin për të çuar ndihma në Siri

Organizata e Kombeve të Bashkuara, po shfrytëzon armëpushimin për të furnizuar me ushqim, veshje dhe medikamente, qytetarët sirianë të prekur nga lufta.

Bota

29/02/2016 18:14

Vetëm gjatë orëve të fundit, bëhet me dije se 150 mijë sirianë kanë marrë ndihma humanitare, teksa OKB planifikon që brenda muajit mars, t’iu vijë në ndihmë 1.7 milionë banorëve.

Pavarësisht akuzave të ndërsjella midis ndërkombëtarëve, situata në Siri është përmirësuar gjatë orëve të fundit. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga zëdhënësit e grupeve rebele, të cilat kundërshtojnë regjimin e Bashar al-Assad. Sipas mediave ndërkombëtare, ndalimi i bombardimeve ka çuar edhe në rihapjen e disa shkollave të ciklit të ulët.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, John Kerry, kanë zhvilluar një bisedë telefonike, tema e të cilës ka qenë pikërisht respektimi i marrëveshjes së armëpushimit për Sirinë.

Akordi që hyri në fuqi ditën e shtunë, u raportua se nuk ishte respektuar plotësisht, pasi në Siri kishte pasur sërish sulme ushtarake, megjithatë, palët duket se kanë vendosur që t’i qëndrojnë marrëveshjes së tyre.

Sipas burimeve zyrtare, thuhet se biseda ishte mbajtur me kërkesë të palës ruse dhe se dy përfaqësuesit kishin pranuar që të zgjeronin bashkëpunimin mes shteteve respektive në Lindjen e Mesme.