Oda e Afarizmit të Kosovës pritet në takim nga Haradinaj

Peticioni për heqjen e udhëzimeve administrative të nënshkruar nga dhjetëra biznese, problemi i energjisë elektrike, përkrahje për taksën 100%, infrastruktura ligjore, mungesa e energjisë elektrike, ligjeve në përputhje me tregun, ligji i punës dhe lehonisë dhe çështje tjera të ngjashme të cilat preokupojnë biznese, ishin qëllimi i takimit të delegacionit të Odës së Afarizmti të Kosovës me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. 

Lajme

10/12/2018 16:08

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi falënderoi Kryeministrin Ramush Hradinaj për pritjen dhe prezantoi shërbimet dhe aktivitet e odës që punon pa reshtur për përmirësimin e klimës së të bërit biznes e cila po vazhdon të jetë e rënd.

Krasniqi potencoi se aktualisht OAK është duke u marrë me probleme të cilat po pengojnë zhvillimin e vendit por bashkërisht me Qeverinë e Kosovës mund të arrijnë zgjidhen, përcjell lajmi.net.

Kryetari i OAK më tej shtoi se Oda e Afarizmit të Kosovës në kontinuitet po vazhdon takimet me ministrat përkatës dhe institucionet e tjera, për problemet që bizneset i adresojnë në OAK, ku një nga problemet kryesore që po shkakton humbje të mëdha prodhuesve vendor e sidomos për lëndën e parë është energjia elektrike, siç janë bukëpjekësit dhe të cilët kanë kërkuar që të lirohet energjia elektrike për 50%.

Haradinaj u njoftua për peticionin e dorëzuar të premten nga OAK të nënshkruar nga dhjetëra biznese për heqjen e udhëzimeve administrative nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë që kufizojnë në 5 hektarë sipërfaqe, 5 vjet dhe 2000 € qira vjetore për hektarë si dhe heqjen e kufizimit për ndërrimin e pronës.

Gjithashtu, OAK ka kërkuar që Kosova të krijoj produktet strategjike sikurse i kanë vendet e rajonit.

Anëtari i bordit të OAK, Hamdi Malushaj u fokusua tek energjia elektrike me tension të ulët si një pengesë e madhe e bashkëpunimit me investitorët e huaj dhe kërkoi të shikohet një mundësi për evitimin e këtij problemi.

Ndërsa, Hysni Zogaj, anëtar i bordit të OAK, foli për sektorin minerar i cili i sjellë shumë të hyra buxhetit të Kosovës, dhe theksoi se okupimi i zonave minerare me vite të tëra ndikon që të mos ketë zhvillim ekonomik në sektorin minerar, andaj Zogaj propozoi që KPMM të shuhet dhe të kalojë nën administrimin e MZHE.

Gezime Rexhepi Çollaku, Drejtoreshë e Kopshtit Bardha dhe anëtare e OAK-së, kërkoi nga Kryeministri që të rregullohet Ligji i Punës, përkatësisht Pushimi i Lehonisë, dhe të bëhet heqja e kësaj barre nga bizneset dhe të kalojë 100% tek shteti, në mënyrë që ato të funksionojnë më mirë dhe të ndikojë në rritjen e punësimit të gjinisë femërore.

Diamant Elshani, anëtar i bordit të OAK-së, kërkoi nga kryeministri i Kosovës bashkëpunim më të ngushtë në veçanti në thithjen e investimeve në mënyrë që të dalim në treg sa më fuqishëm me prodhime, ku theksoi taksa ishte një ndihmesë për bizneset vendore.

Hasan Gigollaj, anëtar i bordit të OAK kërkoj që mos të fajësohen prodhuesit e bukës, por fajtor kryesor këtu janë distributorët e miellit, andaj kërkoi që urgjentisht tregtarët e miellit mos t’i rrisin çmimet në mënyrë që kjo mos të ndikojë në rritjen çmimit të bukës.

Haradinaj, falënderoi delegacionin e OAK-së për takimin dhe theksoi se do t’i trajtojë temat e propozuara nga Oda, duke u shprehur i hapur për bashkëpunim të vazhdueshëm, dhe bëri thirrje që OAK të vazhdoj komunikimet  me nivelin qendror me qëllim të tejkalimit të sfidave me të cilat përballen bizneset.

OAK u përfaqësua nga Kryetar i bordit Skënder Krasniqi, sekretari i bordit Diamant Elshani, anëtarët e bordit Hamdi Malushaj, Hysni Zogaj, Hasan Gigollaj si dhe zyrtaret Qendresa Ibrahimi dhe  Doruntina Gashi. /Lajmi.net/