Ocalan nga burgu, Turqia të luftojë ISIL-in ose s’ka paqe me kurdët

Janë ashpërsuar luftimet ndemjet kurdëve dhe militantëve sunitë të “Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë” (ISIL), në afërsi të kufirit me Turqinë. 

Bota

02/10/2014 14:24

Qyteti i banuar me kurd, i quajtur Kobane, shumë pranë kufirit me Turqinë, rrezikon të kthehet në gërmadhë, pasi përplasje të ashpra në mes të kurdëve dhe “Shtetit Isalmik” janë shënuar që nga mesi i shtatorit.  

Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, militantët e ISIL-it, që në muajin korrik shpalli “Shtetin Islamik” në tokat e pushtuara të Irakut dhe Sirisë, po i afrohen gjithnjë e më shumë Kobane-s, vend ky me një pozicion strategjik që lidh veriun dhe veri-perëndimin e Sirisë.

Një ditë më parë, militantët e “Shtetit Islamik” afër këtij qyteti zunë peng nëntë luftëtarë kurdë, përfshirë edhe tri gra, të cilët më pas u vranë brutalisht, iu prenë kokat publikisht.

Dhe derisa vazhdojnë sulmet ajrore mbi caqet e “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, parlamenti turk po diskuton nëse Turqia duhet marrë pjesë ose jo në luftën që po zhvillohet kundër këtij shteti.

 Nga aan e tij, lideri i kurdëve në Turqi,  Abdullah Ocalan, i cili është i dënuar me burg nga autoritet turke, i ka bërë thirrje Turqisë të shpëtojë qytetin Kobane nga masakra që po kryejnë militantët e ISIL-it.

“Nëse vazhdojnë këto masakra, bisedimeve për paqe mes kurdëve dhe turqve do të përfundojnë”, ka thënë Ocalan, lider i Partisë Kurde të Punës, në një deklaratë të cilën e kanë nxjerrë pjesëtarë të kësaj partie, pasi që e kanë vizituar atë në burg.

 

Militantët e “Shtetit Islamik” kanë vrarë mbi 6000 veta që nga korriku, në Siri e Irak, të krishterë dhe myslimanë shiitë, ndërsa kanë përndjekur qindra mijëra të tjerë të ikin nga shtëpitë e tyre. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, nga Kobane dhe rrethina e tij kanë ikur për në Turqi mbi 150.000 kurdë sirianë.