OBSH vazhdon të përballet me virusin Zika, shqetësim për qytetarët

Organizata Botërore e Shëndetësisë po përpiqet të zgjidhë problemin me virusin e Zikës, që po përhapet me shpejtësi më mbarë Amerikën Latine dhe Karaibe.

Lajme

20/02/2016 01:17

Virusi është i lidhur me defekte në lindje dhe tek të rriturit shkakton një lloj paralize. Ekspertët kanë shumë pyetje të papërgjigjura, ashtu si edhe qytetarët e thjeshtë. Aspekti më alarmues i virusit Zika është ndoshta lidhja me mikroqefalinë, foshnjet e lindura me anomali në kokë dhe tru. Virusi po qarkullon në Amerikën Latine dhe Karaibe, por edhe njerëzit në Uashington dhe vende të tjerë janë të shqetësuar. “Linda vitin e kaluar, në qershor dhe jam e shqetësuar si nënë”, thotë Lisa Ortiz. “Kam shumë anëtarë të familjes, motra dhe kushërinj, të cilët mund të ndikohen negativisht nga virusi kështu që jam sigurisht e shqetësuar”, thotë Toney Rogers. Disa mjekë thonë se kanë gjetur virusin Zika në trurin e foshnjeve që kanë vdekur pak pas lindjes. “Nuk e dimë nivelin e lidhjes, nëse është rastësi, nëse virusi plus diçka tjetër ka rezultuar në mikroqefali, nëse Zika vepron me diçka tjetër ose nëse nuk është e lidhur fare me virusin. Nuk e dimë me siguri”, thotë Dr. Anthony Fauci.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se do të duhen disa javë të tjera për të pare në se ka lidhje. Agjencia thotë gjithashtu se një test për Zikën do të jetë i mundur së shpejti dhe gara ka filluar për të krijuar një vaksinë.  Virusi transmetohet nga një person tek tjetri kur një mishkonjë pickon një të infektuar dhe më pas pickon dikë tjetër. Njerëzit kanë pyetje lidhur me simptomat. 80 përqind e të prekurve nga virusi nuk kanë simptoma. “Mes 20 përqindshit që shfaq simptoma, ato janë të lehta si urtikarje, sy të skuqur dhe temperaturë”, thotë John Michaud me fondacionin “Kaiser Family”. Por cila është mundësia e përhapjes së virusit? Zika filloi në Uganda, por nuk duket të ketë shkaktuar mikroqefali aty. Por në se kthehet përsëri në Afrikë nga Brazili, askush nuk mund të thotë cili do të jetë rezultati. “Duhet të marrim masa parandaluese. Nuk i dihet sa shpejt mund të përhapet virusi”. Këtë thonë edhe ekspertët. “Nuk dua ta them por kam frikë se është e vërtetë: nuk kemi informacion të mjaftueshëm ende për t’u përgjigjur shumë prej këtyre pyetjeve që vijnë”, thonë ekspertët.

Përhapja dhe mbi të gjitha paqartësia rreth virusit Zika ka shtuar edhe më tepër shqetësimet në mbarë botën, e cila ndodhet përpara shumë pikëpyetjeve mbi mënyrën e trajtimit. Së fundmi, edhe Papa Françesku pranoi mundësinë e përdorimit të masave kontraceptivë për gratë, të cilat mund të rrezikohen nga prekja e virusit Zika. Sipas tij, këto masa mund të përdoren në situata ekstreme të rrezikut për shëndetin. Megjithatë, Ati i Shenjtë përsëriti qëndrimin e Kishës Katolike kundër abortit, duke e cilësuar si një krim. Papa u foli gazetarëve pikërisht gjatë udhëtimit nga Amerika Latine drejt Romës. Ati i Shenjtë zhvilloi një tur disaditor në disa vende të Amerikës së Jugut, zona ku vlerësohet se edhe rreziku i përhapjes së virusit Zika është më i madh.

“Zëri i Amerikës”

Qëndrimi ulur shkakton tkurrje të trurit

Për të moshuarit, qëndrimi për një kohë të gjatë ulur në kolltuk duke parë televizor, në vend të ushtrimeve fizike, mund të shkaktojë tkurrjen e trurit, sipas një studimi të ri. Studjuesit e Shkollës Mjekësore të Universitetit të Bostonit zbuluan se persona të rritur të moshës mesatare pësuan humbje të volumit të trurit pas 20 vjet jete me një stil sedentar. Studimi u botua në revistën mjekësore “Neurology”. “Zbuluam se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes të qënit jo aktiv fizikisht dhe volumit të trurit pas disa dekadash: studimi tregoi se plakja e trurit u përshpejtua tek ata persona që nuk merreshin me ushtrime fizike”, tha autorja e studimit, Nikole Spartano e Shkollës së Mjeksësisë, në Universitetin e Bostonit. Në studim u përfshinë mbi 1 mijë e 500 persona, mesatarisht të moshës 40 vjeçare, të cilët nuk ishin të prekur nga demenca, apo nga sëmundjet e zemrës./lajmi.net