Nxënësit e rikthyer nga migrimi vazhdojnë me orë plotësuese

Fëmijëve të arsimit fillor dhe të mesëm që rikthehen nga migrimi i muajve të fundit, u është mundësuar të vazhdojnë mësimin në të njëjtën klasë.

Lajme

19/03/2015 21:20

Ministria e Arsimit në rekomandimin e saj për fëmijët e kthyer deri në muajin mars, sqaron se do të ketë mësim shtesë çdo ditë të javës, nga një orë mësimore, në lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, por gjithashtu edhe në lëndët e tjera profesionale sipas nevojës.

Fëmijëve, të cilët do të kthehen në muajin prill do t’iu mundësohet vijimi i procesit mësimor, kurse për ta do të organizohen provime klase në nivel shkolle.

Azem Guri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, thotë se fatmirësisht një numër i nxënësve ka filluar të kthehet.

“Sipas raporteve që i kemi nga DKA dhe si rrjedhojë e saj, kemi përgatitë një rekomandim për të gjitha drejtoritë komunale të arsimit, me tëlin parashihet që të gjithë ata fëmijë që kthehen, të integrohen në sistemin parauniversitar”, theksoi ai.

Drejtues komunalë të arsimit thonë se ky rekomandim është duke u zbatuar me shumë përgjegjësi dhe pa asnjë hezitim nga mësimdhënësit.

Nexhmi Rudari, nga Komuna e Podujevës, thotë se sipas të dhënave që kanë prej shkollave në qytet dhe fshatra, janë diku 500 nxënës që kanë braktisur shkollën.

“Unë mendoj që as drejtorët e as mësimdhënësit e shkollave nuk do të kenë problem për orët-mësimin shtesë sepse ata këtë e bëjnë brenda orarit të punës”, tha ai.

Në formën zyrtare, Ministria e Arsimit ka njoftuar se këtë vit shkollor kanë migruar 5,200 fëmijë nga i gjithë vendi. Por se sa nga ta janë rikthyer, ende nuk kanë shifra konkrete, raporton RTK.