Nuland takohet edhe me Jahjagën, tema Gjykata Speciale

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim ndihmës sekretaren e shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe krijimin e Gjykatës Speciale, sfidat në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.

Lajme

12/07/2015 18:06

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti në përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe se pret që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale për t’i adresuar akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe për të shmangur që një hap i tillë të merret nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është e përkushtuar në këtë proces dhe kërkon zbatim konkret të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ajo tha se shkalla e zbatimit të marrëveshjeve duhet të jetë kushtëzim për rrugën evropiane të Serbisë, e cila edhe më të tutje vazhdon të mbështes strukturat ilegale serbe në Kosovë.