Nuk preferon zgjedhje të parakohshme

Isa Mustafa thotë se më shumë preferon që një herë të kryhet reforma zgjedhore dhe që të përgatitet terreni për zgjedhje të lira, transparente e të ndershme.

Lajme

20/11/2013 10:39

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se nuk preferon shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë për KosovaPress, kreu i LDK’së thotë se një herë duhet të kryhet reforma zgjedhore dhe të përgatitet terreni për zgjedhje transparente, të lira dhe të ndershme.

“Nuk do të preferoja të hyjmë në zgjedhje të parakohshme. Më shumë preferoj që ta bëjmë reformën zgjedhore, që të përgatisim ligjin zgjedhor, që të përgatitemi mirë për zgjedhje dhe që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje transparente, të rregullta, që do të monitorohen nga faktori ndërkombëtar, nga organizata jashtë Kosovës, në mënyrë që ata që fitojnë votën, ta kenë legjitimitetin e plotë të ushtrimit të pushtetit në periudhën e ardhshme”.

“Mendoj se do të ishte më mirë që të bëjmë reformën, që Kuvendi të funksionoi në çështjet në të cilat Kuvendi mund të funksionojë. Nuk e kemi asnjë çështje që është me nguti të madhe në Kuvend, e cila duhet ta rrezikojë funksionimin e Kuvendit deri në pranverën e vitit të ardhshëm ose gjysmën e vitit, kur ne mund të shkojmë në zgjedhje të rregullta, me reformë zgjedhore”.

“Është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të rregullta, sesa që zgjedhjet të jenë të parakohshme, sepse, askujt si ngutet që për dy, tre apo katër muaj përpara, ta marrë pushtetin në Kosovë”.