Nuk e heqim logon e Kosovës

Valdete Daka mohon kategorikisht çdo mundësi që të largohet logoja e Republikës së Kosovës nga materiali zgjedhor për procesin elektoral që të do të zhvillohet javën e ardhshme. Ajo thotë se nuk më s'do të ketë asnjë kompromis sa i përket materialit zgjedhor.

Lajme

27/10/2013 16:44

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se nuk do të ketë më asnjë kompromis sa i përket materialit zgjedhor për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ajo mohon kategorikisht çdo mundësi që të largohet logoja e Republikës së Kosovës nga materiali zgjedhor për procesin elektoral që të do të zhvillohet javën e ardhshme.

“Ne teknikisht i kemi bërë gati të gjitha materialet dhe më nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi“, ka thënë Daka për lajmi.net.

“Ka qenë një kompromis i madh që është bërë me qëllim që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Më nuk do të ketë asnjë ndryshim as për forma, as për asgjë tjetër”.

Reagimi i Valdete Dakës pason deklaratat kërcënuese për bojkotim të zgjedhjeve lokale në Veri, të bëra sot nga Krstimir Pantic, i cili është kandidat i Iniciativës Qytetare Serbe për komunën e Mitrovicës Veriore.

Pantic, i cili deri në marrëveshjen e 19 prillit Thaçit dhe Dacicit ishte ndër udhëheqësit kryesorë të strukturave paralele në veri, deklaroi sot se serbët nuk do të dalin në zgjedhje nëse nga materiali zgjedhor nuk largohen logot e Republikës së Kosovës.

Valdete Daka thotë se deklaratat e tilla nuk ndikojnë në punën e KQZ’së, e cila tashmë ka bërë gati të gjitha përgatitjet për procesin elektoral që do të zhvillohet sot një javë.

“Deklaratat e tyre nuk kanë ndikim dhe ato nuk mund t’i ndryshojnë format e materialit zgjedhor”.

“Të gjitha materialet zgjedhore janë aprovuar dhe më nuk do të ketë ndryshime”.

“Këto deklarata janë politike dhe KQZ nuk ndikohet nga politika. Politika duhet të merret me këto çështje. Ne i kemi për detyrë aspektet teknike”.

Daka ka deklaruar për lajmi.net se KQZ ka kryer punën e saj, duke bërë sipas planit të gjitha përgatitjet për procesin zgjedhor të javës që vjen.

“Edhe po deshëm, ligjërisht më nuk mund të bëhet asnjë ndryshim”.

“I gjithë materiali është shtypur. Është ndarë një shumë më e madhe se 100 mijë euro për ta bërë gati këtë material. Dhe nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi”.

“Pra, janë kryer të gjitha procedurat dhe kanë kaluar të gjitha afatet dhe nuk mund të ndryshojmë më asgjë. Nuk ka më kohë. Kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë nga dita e zgjedhjeve dhe ligjërisht nuk mund të kthehen mbrapa as format e asgjë tjetër”.