Nuk do të ketë Republika Srpska

Kryeministri Thaçi deklaron mospërputhjet me Kryeministrin Dacic lidhur me formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Thotë se Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe nuk lejon interpretime të bazuara në dëshirat e ndonjërit grup.

Lajme

24/11/2013 15:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se është i bindur që më 1 dhjetor, kur do të mbahen zgjedhjet e balotazhit në 24 komuna, do të dëshmohet se Kosova është një shtet demokratik, në cilin mbahen zgjedhje demokratike me një nivel të lartë të kulturës politike.

Në një intervistë dhënë për agjencinë “Anadolu”, Thaçi ka thënë se zgjedhjet lokale do të jenë një pikë kthese që do të tregojë një marrëdhënie të mirë ndëretnike dhe një përparim drejt Bashkimit Europian.

Ai ka deklaruar qartë mospërputhjet me Kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic lidhur me formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Marrëveshja e Brukselit është mjaftë e qartë dhe nuk lejon interpretime të bazuara në dëshirat e ndonjërit grup. Ashtu siç është e paraparë edhe në këtë Marrëveshje, kjo bashkësi komunash do të krijohet dhe do të funksionojë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe rregullores europiane për vetëqeverisje lokale”.

Dacic, kohë më parë, kishte deklaruar se Prishtina po frikësohet se Bashkësia e Komunave Serbe do të përngjajë në Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë.

I pyetur për këtë deklaratë të Dacic, Hashim Thaçi tha se nuk dëshiron të komentojë deklaratat e cilitdo zyrtari serb lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, ai ka qenë mjaftë i qartë në përgjigjen e pyetjes se a do të ishte e pranueshme që kjo Bashkësi Komunash Serbe do të ngjajë në njëfarë mënyre me Republika Srpska.

“Me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, kjo bashkësi komunash nuk do të jetë si RS”.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk është duke e shqetësuar insistimi i Dacicit që Marrëveshja e Brukselit dhe vazhdimi i bisedimeve të jenë “neutral ndaj statusit”.

“Kjo nuk tregon asgjë të re. Shumica e politikanëve në Serbi ende hezitojnë që të zgjohen nga ëndrrat e tyre të së kaluarës. Deklaratat e tilla janë vetëm për konsum brenda Serbisë dhe nuk kanë ndonjë ndikim diku tjetër”.

“Të gjithë ata që e kanë përcjellë procesin e bisedimeve në Bruksel, e dinë se është respektuar sovraniteti territorial i Kosovës”.

“Sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia, krejt çfarë mund të them është se kjo do të mund të ndodhë në të ardhmen, pasi që nuk ka ndonjë alternativë tjetër”.

Thaçi ka vlerësuar angazhimin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, duke thënë se me këtë është arritur një paqe në rajon.

“Deri më tani kemi zgjidhur disa probleme. Zbatimi i marrëveshjes që e kemi arritur në Bruksel, ka prodhuar disa rezultatet pozitive edhe përkundër faktit se ka shumë vonesa. Por, mund të them se përparimet tona, si dy shtete, kanë arritur në arritjen e disa marrëveshjeve tjera, siç janë ai i telekomunikacionit dhe energjetikës”.

“Hapat e radhës, do të jenë lidhur me të pagjeturit, fondin pensionist, pjesëmarrja e Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare sportive…  Për zgjidhjen e këtyre problemeve do të shfrytëzohet i njëjti model, përmes ndërmjetësimit të Zyrtares së Lartë të BE’së, Catherine Ashton, dhe me mbështetje të fuqishme të SHBA’ve”.

Thaçi gjithashtu ka folur edhe për një ndryshim eventual të pozicionit të Rusisë karshi Kosovës, në mënyre që kjo e fundit të mund të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara.

“Kosova është pranuar nga shumica e shteteve ne botë, ku gjysma prej tyre janë anëtare në OKB. Gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së në shtator, Kosovën e kanë njohur edhe 4 shtete – El Salvador, Grenada, Tajlanda dhe Libia. Ky proces është i pakthyeshëm dhe Kosova do të ketë vendin e vet në mesin e shteteve të lira të OKB’së”.

“Koha kur Kosova do të pranohet në OKB, do të vije kur Rusia do të ndryshojë politikën ndaj Kosovës, në përputhje me situatën reale në terren. Kosova do të jetë gjithmonë një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik”.