Një parti në Serbi i kërkon ndihmë Rusisë kundër Kosovës në UNESCO

Partia Popullore e Serbisë, i është drejtuar qeverisë serbe duke i bërë thirrje që t’i kërkojë Rusisë ndihmë diplomatike kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Lajme

04/10/2015 11:57

Përveç kësaj, në deklaratën e kësaj partie që udhëhiqet nga Nenad Popoviq është thënë se “kosovarët janë popull pa identitet dhe të ardhme”.

Partia Popullore e Serbisë, i ka bërë thirre qeverisë serbe që të nisë një iniciativë më të gjerë diplomatike kundër pranimit të Kosovës në agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë – UNESCO.

“Serbia duhet t’i dërgojë ftesë të hapur Rusisë për të kërkuar ndihmë nga kanalet e saj diplomatike për të bindur sa më shumë shtete anëtare të UNESCO-s për të votuar kundër propozimit për pranimin e Kosovës si anëtare në këtë organizatë”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj partie, transmeton Klan Kosova.

Kjo parti propozon se me kë duhet bashkëpunuar që Kosovës t’ia vështirësojë anëtarësimin në këtë organizatë.

“Gjithashtu duhet të flasim me vendet e tjera si Brazili, Rusia, India Kima dhe Afrika Jugore, me miqtë tanë të vjetër në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine e veçanërisht me shtetet anëtare të Bordit Ekzekutiv të UNESCO’s që të kërkojmë ndihmën kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare”, është deklaruar në kumtesë.

Shtetin e Kosovës e kanë cilësuar të rremë dhe është konstatuar se trashëgimia kulturore në Kosovë është pjesë e identitetit të popullit serb.

“Hyrja e shtetit të rremë të Kosovës në UNESCO e bën Serbinë më të vlefshme dhe më të shenjtë, ngaqë ajo trashëgimi tregon vazhdimësinë e popullit serb që nga mesjeta”.

“Ne nuk duhet të lejojmë që identiteti ynë si komb të rrëmbehet nga kosovarët, që janë një popull pa identitet dhe pa të ardhme”, janë fjalët me të cilat i është drejtuar Partia Popullore e Serbisë qeverisë.