Nisma akuzon pushtetin për vdekjen e 3-vjeçares në Prizren

Nisma për Kosovën ka reaguar pas lajmit për vdekjen e një vajze tre vjeçare në Prizren, si pasojë e shembjes së një shtëpie.

Lajme

06/06/2016 21:05

Dega e Prizrenit, e Nismës për Kosovë, përmes një reagimi për media, ka thënë se fajin për vdekjen e fëmijës e mban pushteti, i cili, sipas saj, e ka neglizhuar rinovimin e këtyre shtëpive dhe si rezultat qytetarët po pësojnë me fatalitet.

“Edhe ‘NISMA’–dega në Prizren ndjen dhimbje të madhe lidhur me tragjedinë e ndodhur sot, me ç’rast ka humbur jetën fëmija 3 vjeçar. Edhe sa tragjedi të tilla duhet të ndodhin, që ne vetëm të dimë fajtorin, duke mos e ndëshkuar kurrë atë. NISMA-dega Prizren fajin dhe përgjegjësinë për këtë tragjedi që ndodhi sot nga rrënimi i shtëpisë së vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit e adreson direkt tek Komuna, por edhe tek Ministria që ka në përgjegjësi të veten, këto objekte kulturo-historike. Ngase kjo Ministri paraprakisht është dashtë të investoj në restaurimin e këtyre objekteve tashmë të vjetruara, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve deri në fatalitet”, thuhet në reagimin e Nismës.

“Të ndahen nga jeta njerëzit vetëm e vetëm për shkak të neglizhencës, nuk ka se si ti ipet spjegim tjeter, përveçse një Tragjedie!!. Neglizhencë kjo e krijuar nga ata pushtetar që vjedhin qytetarin e tyre. Tashmë këta pushtetar jo vetëm që po vjedhin qytetarin, porse mosveprimi i tyre për të evituar tragjeditë e tilla si kjo e sotshmja, nënkupton edhe vrasje për qytetarin, siç ka pasur fatin voglushja 3 vjeçare. Ngushëllime për familjarët, ndërsa mallkuar qofshin ata që parësore e shohin paranë dhe postet, e jo jetën e një njeriu!!”, përfundon reagimi.