Nishani-Veliaj, përplasen për parkun e liqenit
Ndërtimi i këndit të lojërave te Parku i Liqenit të Tiranës, u kthye sot në një subjekt të fortë përplasjesh në distancë mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Lajme
Nishani priti dje një grup aktivistësh të shoqërisë civile, të cilët kundërshtojnë ndërtimin brenda parkut të liqenit në Tiranë. Duke mbrojtur kauzën e tyre, kreu i shtetit u shpreh se “ata duhet të sensibilizojnë e motivojnë të gjithë aktorët e shoqërisë, politikbërjës dhe qytetarë, pa dallime”.
Presidenti i njohu aktivistët me shqetësimin e tij ndaj mungesës së reagimeve të institucioneve shtetërore dhe u kërkoi përfaqësuesve të qytetarëve, të vijojnë të shprehin lirshëm mendimin e tyre në mbrojtje të çështjeve të mjedisit. Nishani ofroi edhe mbështetje për rrugëtimin ligjor të aktivistëve nga hallka më e ulët dhe deri te hallka e lartë, madje dhe me stafin e juristëve të Presidencës, nëse çështja shkon në Kushtetuese.
Por kryebashkiaku Veliaj, nuk e priti mirë pozicionimin e kreut të shtetit në mbrojtje të parkut. Në një deklaratë në profilin e tij në “Twitter”, Veliaj e quajti të turpshëm qëndrimin e kreut të shtetit, ndërsa i kujtoi atij se është i vetmi që jeton me vilë në park dhe del me eskortë në park.
“Sa turp që do t’ju prishë parkun fëmijëve. Nishani, i vetmi shtetas që jeton me vilë në park dhe eskortë në pedonale”, shkruante Veliaj.
Bashkimi i institucionit më të lartë të hierarkisë shtetërore me kauzën qytetare, u prit mirë nga aktivistët, të cilët u shprehën të bindur se e mira triumfon kudo./shekulli