Nis numërimi i votave të Veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar numërimin e fletëvotimeve. Procesi i numërimit pritet të përfundojë sot.

Lajme

05/11/2013 15:43

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar sot numërimin dhe verifikimin e fletëvotimeve të pjesës veriore të Kosovës.

KQZ ka siguruar materialin zgjedhor nga misioni OSBE`së për komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit janë zgjedhjet e para të cilat u mbajtën në tërë territorin e Kosovës. Edhe pse procesi zgjedhor kishte shkuar normalisht edhe në veriun e Kosovës ai doli nga kontrolli rreth orës 17 kur grupe ekstremiste serbësh sulmuan qendrën e votimit në shkollën “Sveti Sava” në veri të Mitrovicës me ç`rast kishin shkatërruar materialin zgjedhor.

Për fillimin e procesit të numërimit të fletëvotimeve e ka konfirmuar anëtari i KQZ`së Betim Gjoshi.

Ai ka thënë për Radio Evropa e Lirë se procesi i numërimit të votave për pjesën veriore pritet të përfundoj sot.

“Ne sot presim që deri në mbrëmje do ta përfundojmë procesin e pranimit. Pas pranimit, KQZ-ja merr raportin nga QNR-ja dhe ata vlerësojnë për secilën kuti se cilat janë rekomandimet. Ato që kanë kaluar testin e pranimit shkojnë në procesim, materialet e tyre, futja e të dhënave dhe numërimi i votave me kusht”.

“Për ato që nevojitet, ndonjë vendim i KQZ-së për rinumërim, hapje për hetim apo të tjera, i sjellin rekomandime dhe ne vlerësojmë nëse ndonjë kuti votimi, apo vendvotim ka pësuar dëmtime të mëdha, vlerësojmë që a duhet të anuluar.

“Edhe ajo është një nga rekomandimet e mundshme dhe nëse kanë ndikuar në rezultat ne do të marrim vendime për përsëritje”, ka thënë Gjoshi për REL.

Anëtari tjetër i këtij komisioni që përfaqëson koalicionin Vakat Bajram Ljatifi ka potencuar se materiali zgjedhor tani më është siguruar dhe gjendet në Prishtinë.

“Është shumë me rëndësi që në të dyja rastet që procedurat e mëtutjeshme të kryhen në mënyrë transparente. Pra edhe përfaqësuesit e subjekteve të cilët kanë konkurruar në atë komunë që të jenë të pranishëm në QNR, në mënyrë që ata të binden se gjithçka ka shkuar ashtu siç duhet”.

“Për ne është me rëndësi ana ligjore si dhe që votuesit të mos dëmtohen në asnjë mënyrë, ata janë në rend të pare. Ne, si anëtarë të KQZ-së nuk mund të merremi me pritjet dhe parashikimet, ne jemi këtu për të marrë vendime për gjendjet faktike”.