Nikoliq takim për Kosovën me Vuçiq dhe Irinej: Pres harmoni dhe unitet

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe patriarku serb Irinej, do të duhej sot të diskutonin në Beograd rreth qëndrimit të Serbisë mbi vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe përpjekjet diplomatike të Serbisë që Kosova të mos pranohet në UNESCO.

Lajme

20/10/2015 12:05

Siç raporton Beta, presidenti serb Nikoliq ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryeministrin Vuçiq dhe patriarkun Irinej, pret të mbizotërojë uniteti, transmeton lajmi.net.

I pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga ky takim, Nikoliq është përgjigjur duke thënë, “pres të mbizotërojë harmonia dhe uniteti”.

Sipas medieve serbe, në takimin në presidencën e Serbisë ishte ftuar edhe kryetari i akademisë së shkencave Vladimir Kostiq, por ai ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në konsultime, por se dikush tjetër do të shkojë nga Akademia.

“Nuk jam i sigurt nëse pjesëmarrja ime në këto momente ka ndonjë efekt. Akademia e Shkencave do të jetë e pranishme në takim të cilin e ka organizuar presidenti Nikoliq, dhe atë në nivelin e tij më kompetent. Në akademi, ka shumë anëtarë të cilët i dinë më mirë se unë problemet e çështjes së Kosovës dhe trashëgimisë kulturore”, ka deklaruar Kostiq.

Ai shtoi duke thënë se “dallimet personale” të cilat kanë shpërthyer në konflikt pa dëshirën e tij, nuk duhet dhe nuk guxojnë të prishin detyrimet e akademisë që i ka ndaj popullit, shtetit dhe çështjeve më të rëndësishme shtetërore. (lajmi.net)