Ngjyrat dhe kuptimi psikologjik i tyre

Ndonëse kuptimi i një ngjyre të caktuar varet edhe nga aspekti kulturor i shoqërisë përkatëse, përgjithësisht ngjyrat kanë edhe kuptimin universal të tyre, shkruan lajmi.net.

Fun

16/08/2015 14:58

Ngjyrat për ne kanë kuptime të caktuara. Por, duke qenë se ai kuptim është edhe subjektivitet i yni, shpesh herë disponimi ynë ndikon në mënyrën se si e shohim një ngjyrë të caktuar.

Ndodh që e njëjta ngjyrë, në momente të ndryshme të ketë kuptime të ndryshme. Për shembull nëse jemi në disponim pozitiv, atëherë ngjyra e caktuar ka kuptim pozitiv për ne, mirëpo në anën tjetër, nëse jemi në disponim negativ, atëherë edhe ngjyra reflekton negativitet.

Gjithsesi, ngjyrat po ashtu na ndikojnë edhe disponimin tonë.

Lexoni më poshtë për kuptimin gjeneral të ngjyrave përkatëse.

E bardha: Ngjyra e bardhë për shembull njihet përgjithësisht si ngjyrë e pastërtisë, perfeksionimit, dhe pafajësisë. Jo rastësisht pra edhe velloja e nusërisë mban ngjyrën e bardhë.

E zeza është ngjyra e të fshehtës, të panjohurës. Ajo krijon imazh misterioz, dhe i mban gjërat e fshehura për botën e jashtme.

E kafta është ngjyrë miqësore, por edhe serioze. Ajo krijon ndjenjën e sigurisë, mbrojtjes dhe rehatisë. Po ashtu reflekton edhe pasuri materiale.

E portokallta është ngjyrë e komunikimit social dhe optimizmit. Mirëpo, nga aspekti negativ, ajo mund të reflektoj edhe pesimizmin dhe sipërfaqësoren.

E verdha është ngjyra e mendjes dhe intelektit. Në aspektin pozitiv ajo reflekton optimizmin dhe gëzimin. Mirëpo, në aspektin negativ po ashtu nënkupton edhe padurimin, frikën dhe xhelozinë.

E gjelbërta është ngjyrë e balancit dhe rritjes.

E kaltërta është ngjyrë e besimit dhe paqes. Ajo reflekton besimin dhe integritetin, por në aspektin negativ mund të lidhet edhe me konservatizmin dhe ftohtësinë seksuale.

Ngjyra vjollcë lidhet me imagjinatën. Ajo mund të reflektoj kreativitetin e një mendje, por po ashtu edhe papjekurinë e tij.

Ngjyra rozë simbolizon dashurinë e pakushtëzuar dhe edukimin. Mirëpo, ajo po ashtu mund të reflektoj edhe papjekuri dhe “feminitet”.

Ngjyra gri, duke qenë se nuk është as e bardhë dhe as e zezë, është ngjyrë që simbolizon kompromisin. Ajo është jo emocionale dhe distancuese. (lajmi.net)