Nga rritja e pagave përfitojnë rreth 82 mijë punëtorë

Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar sot në mbledhjen e Qeverisë, se vendimi për rritjen e pagave për punëtorët që do të përfshijë rreth 82 mijë sosh nga të gjitha kategoritë e punëtorëve shtetërorë. Vendimi pritet të merret nesër ose të hënën.

Lajme

27/02/2014 09:09

Rritja e pagave tash e sa ditë është bërë brengë e punëtorëve, qytetarëve në përgjithësi e politikanëve në veçanti. Janë shprehur shumë dilema, sa do të rriten, si do të rritën, kur, dhe a mund ta përballojë buxheti jonë një rritje të tillë.

E po ashtu, kjo rritje është quajtur rritje elektorale, tash në prag të zgjedhjeve nacionale.

Por, nga mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës është bërë me dije se vendimi për këtë rritje është formësuar por kanë mbetur edhe disa nuanca teknike të qartësohen e finalizohen. Dhe, vendimi i tillë do të merret nesër ose të hënë në mesditë.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se rritja e pagave do t’i përfshije rreth 82 mijë punëtorë nga të gjitha kategoritë.

“Dëshiroj të konfirmoj për opinionin e gjerë dhe të gjithë se rritja e pagave do të përfshijë rreth 82 mijë punëtorë kosovarë të të gjitha kategorive”.

Profesione të shumta do të jenë pjesë e kësaj rritje pagash. Ndër ta, kryeministri Thaçi ka përmendur edhe invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve e veteranët, për të cilat edhe ka treguar rritjen shifrore nga viti 2007 deri më 2013.

“Duhet kuptuar se nga viti 2007 deri më 2013, rritja ka përfshirë të gjitha kategoritë, por, edhe tani kjo rritje do të përfshijë infermierët, mjekët, policët, profesorët universitar, mësuesit, zjarrfikësit, punëtorët e administratës, shërbyesit civil, gardianët, prokurorët, gjykatësit, doganierët, inspektorët tatimor, të gjithë pjesëtarët e FSK’së, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, veteranët, minatorët gjithashtu edhe pensionistët kontribut-dhënës”.

“Për të gjitha këto kategori, rritja e pagave nga viti 2007 deri në vitin 2013: për infermierët ka ndodhur një rritje prej 86%, për mjekët 86%, për policët 54%, për profesorët universitar mbi 100%, për mësuesit mbi 50%, për zjarrëfikësit mbi 43%, për shërbyesit civil 43%, për prokurorët 149%, për gjykatësit 163%, për doganierët 144%, për inspektorët tatimor 143%,rritje rreth 70% janë përfshirë edhe invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, gjithashtu për pensionistët kontribut-dhënës ka ndodhur rritje për 26%, e rritje do të ketë edhe për minatorët”.

“Kjo rritje do t’i përfshijë edhe institutet shkencore, duke përfshirë edhe institutin albanologjik, institutin e historisë, pra, të gjitha kategoritë”.