Në zgjedhje do të shkohet me ligjin e vjetër

Sot pritet të shpërndahet Kuvendi dhe zgjedhjet e parakohshme të organizohen pjesën e parë të qershorit. Në këto zgjedhje do të shkohet me ligjin e vjetër zgjedhor, ka bërë të ditur për Lajmi.net, deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi, anëtar i Komisionit për Legjislacionin, në Kuvendin e Kosovës. 

Lajme

07/05/2014 12:17

Krasniqi ka thënë se kjo vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik, si për ligjin zgjedhor ashtu edhe për vendet e rezervuara për minoritetet.

“Vazhdimi i mandateve të rezervuara nuk është temë. E vetmja temë sot është shpërndarja e Parlamentit të Kosovës, për arsye se më nuk ka gatishmëri të spektrit politik që të bëhen ndryshime dhe favorizime të tjera për minoritetin serb”. 

“Fatkeqësisht as kjo po ndodhë për arsye se nuk ka pasur vullnet politik. Ajo që ka qenë detyrë e opozitës për t’ia shkurtuar mandatin Qeverisë dhe PDK’së ka qenë aprovimi i Ligjit zgjedhor. Tani ata nuk e kanë shfrytëzuar këtë mekanizëm demokratik dhe i vetmi opsion për të shkuar në zgjedhje ka mbetur shpërndarja e parlamentit”. 

Duke pasur parasysh problemet nga zgjedhjet e kaluara, i vetmi mekanizëm që do të tentojë për të bërë diçka, që zgjedhjet të jenë më në nivel, është KQZ-ja.  

“Për fat të keq me ligjin e vjetër zgjedhor natyrisht që disa ndryshime mund t’i bëjë KQZ’ja, sa i përket aspekteve teknike dhe administrative, që e favorizojnë nxjerrjen e shpejt të rezultateve dhe saktësinë e numërimit”, ka thënë Krasniqi. 

Ndryshimi i ligjit zgjedhor ishte iniciuar, me marrëveshjen e liderëve Thaçi, Mustafa, Pacolli, por kishte ngecur çuarja përpara, shkaku i mungesës së vullnetit politik.