Në pritje të përplasjes

Pika e vetme e Rendi të Ditës, në fuqi në politikën kosovare tash e sa muaj është: Në pritje të përplasjes. Fatura e këtij përplasjeje do të vjen në llogarinë e përbashkët politike që quhet shteti i Kosovës.

Opinion

04/02/2016 10:32

Planfikimi në politikën kosovare, ai kryesori, ai mbizotëruesi, së paku prej vjeshtës së vitit të shkuar, është fare i thjeshtë dhe afatshkurtër: Ai njeh datat e protestave të opozitës së bashkuar, si shenjat kryesore përcaktuese.

Pra, në politikën kosovare, nëse jemi sadopak të sinqertë me veten  (nëse të tillë nuk mund të jemi me të tjerët, në radhë të parë, me vet qytetarët e këtij vendi), thuaja gjithçka nisë dhe sosë me parashikimet e ngjarjeve në udhët dhe sheshet e Prishtinës, e jo në institucionet e Kosovës.

Nuk është preokupimi kryesor i politikës kosovare, çka do të bëhet me ne, si shoqëri, kur të nisë zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kur do ta marrim Liberalizimin e vizave, a do të mund ta mbajmë atë  (apo çfarë pasojash do të na shfaqen gjatë imlementimit të kësaj të drejte tepër të veçantë për të gjithë ne), çka do të bëhet me politikën kosovare kur të fillojë funksionimi i Gjykatës Speciale, si të përballemi me sfidat kryesore të sigurisë, prej luftimit të krimit të organizuar të korrupsionit, deri te ballafaqimi me ekstremizmin e dhunshëm, mbi të gjitha, çka të bëhet që të përmirësohet jeta e qytetarëve të rëndomtë të këtij vendi.

Kjo nuk po ndodhë në politikën kosovare.

Kjo politikë thuaja e tëra njeh vetëm Kalendarin e protestave të opozitës së bashkuar, parashikimet me ngjarjet që do të vijnë  (me 28 nëntor të vitit të shkuar, me 9 janar, tani, me 17 shkurt, jo natyrisht për shkak të shënimit të Ditës së Pavarësisë), dhe llogaritë e supozuara për koston që do të duhet ta paguajmë të gjithë ne, si shoqëri dhe si vend.

Nuk do të duhej të ishte interes i askujt në politikën kosovare, që mbajtja e tensioneve të vazhdueshme politike, e një atmosfere që shquhet me kërcënimin permanent drejtuar vetë shoqërisë kosovare, të jetë në Rend të Ditës së Kosovës për çdo ditë të lume. Që gati e gjithë Agjenda Politike e këtij shteti të karakterizohet me ditët kyç të këtij Kalendari problematik të politikës kosovare.

Pika e vetme e këtij Rendi të Ditës që është në fuqi në politikën kosovare tash e sa muaj është: Në pritje të përplasjes. Të gjitha temat dhe çështjet tjera i nënshtrohen asaj, megjithë përpjekjeve që të mos duket se kështu qëndrojnë punët ndër ne.

Përplasja, nëse ndodhë dhe kur të ndodhë, nuk ka si të krijojë rrethana pozitive, më të mira, në politikën dhe në shoqërinë kosovare. Ata që e kanë në mendjen e tyre, në orientimin dhe konceptet e tyre, idenë e përmirësimit të gjendjes në Kosovë, qoftë edhe duke përmendur nocionin e ndreqjes rrënjësore të saj, nuk mund të besojnë dot që e tëra domosdoshmërisht duhet të kalojë nëpër ‘purgatorin’  (e rremë), të prishjes së madhe të gjendjes së sotme në vend. Kjo nuk do të ndodhë. Përplasja eventuale, gjithsesi e synuar prej disa protagonistëve në politikën kosovare, do të ketë pasoja afatgjata, të dëmshme për këtë vend, dhe siç u përmend tashmë, fatura e këtij dëmi, do të vjen në atë llogarinë e përbashkët politike që quhet shteti i Kosovës.

Janë së paku dy parime themelore, respektimi i të cilave mund të çelë udhë për tejkalimin e Kalendarit të përplasjes së madhe.

Së pari, duhet të zhbëhet lidhja midis dhunës dhe politikës, apo duhet të zhvlerësohet besimi që dhuna do të prodhohë një politikë të re në Kosovë.

Së dyti, duhet të krijohet mekanizmi zyrtar i dialogut të hapur midis të gjithë faktorëve në politikën kosovare.

Ky dialog do të mund të trajtojë të gjitha çështjet që janë hapur tash e gyjsmë vjet në politikën kosovare, pa hezitim, por duke synuar që të mos krijohet precedenti në funksionimin e politikës kosovare. Fuqizimi eventual i precedentit do ta instalojë destabilitetin politik në këtë vend për një kohë të gjatë, pa marrë parasyshë edhe sa palë zgjedhje do të mbahen në ndërkohë.

Politika në një shoqëri demokratike i shmanget me çdo kusht situatave ekstreme, apo, krijimit të hendeqeve të thella politike në mes të pjesëmarrësve në politikë. Kështu duhet të jetë edhe në Kosovë.

Kjo shoqëri nuk përballon dot sprovën që gjithnjë e më shumë po i imponohet nga politika kosovare në trajtë të pyetjes: Ose ne, ose ata. Apo, atë kontstatimin e kahmotshëm: Kush nuk është me ne, është kundër nesh.

Nëse njëmend Kosova si shtet është mbi të gjitha, dhe mbi të gjithë, është lehtë të gjindet zgjidhja në këtë vend.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)