Në pikëpyetje edhe posti i kryeministrit

Koalicioni paszgjedhor, LDK-VV-AAK-Nisma (LVAN) pritet që përfundimisht të pajtohet dhe tërhiqet nga pretendimi për postin e kryetarit të Kuvendit, duke synuar që të marrë nën drejtim qeverinë e ardhshme të Kosovës. 

Lajme

27/10/2014 08:35

Burime të gazetës Tribuna bëjnë me dije se ka më gjatë se një javë që është duke u menduar seriozisht për një strategji dalëse nga ky post.

Por, problemi thuhet se mbetet si të ridefinohet marrëveshja e re e koalicionit.

Edhe në rast se deputetët e këtij koalicioni do të vendosin t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e pikës 127 të aktgjykimit për postin e kryekuvendarit, ata, sipas këtyre burimeve, e dinë përgjigjen, por këtë veprim do ta ndërmarrin më tepër për të fituar edhe pak kohë.

Koha shtesë, do t’u nevojitet sidomos LDK-së dhe AAK-së dhe liderëve të tyre.

Isa Mustafa do të detyrohet të marrë një pëlqim të partisë qoftë për dorëzimin e postit të kryeministrit të AAK-ja, qoftë për ripozicionimin, duke i kërkuar AAK-së, t’ia kthej këtë post në kuadër të marrëveshjes.

Kurse lideri i AAK-së, Haradinaj, i cili duket të jetë më autonom në parti, më shumë do të analizojë situatën dhe vendos nëse do të pajtohej eventualisht me postin e zëvendëskryeministrit apo jo.