Në Paris, Bajrami shpalos mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, po merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë “Nxitja e Investimeve për Konkurrueshmëri në Evropën Juglindore”, që po mbahet në Paris, në organizim të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Lajme

19/04/2017 17:37

Më tutje thuhet se në sesionin e diskutimeve rreth reformave për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe rritjen e konkurrueshmërisë në Evropën Juglindore, Bajrami foli për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në ndërmarrjen e reformave strukturore të cilat kanë synim parësor përmirësimin e mjedisit afarist dhe rritjen ekonomike në Kosovë.

Ajo theksoi se Republika e Kosovës ka bërë punë serioze sa u përket reformave ekonomike, dhe si rezultat i këtij angazhimi, është ngritur në rangimin ndërkombëtar për të bërit biznes. Ajo përmendi rangimin e Kosovës në raportin e fundit të Bankës Botërore, dhe tha se Kosova tashmë është në vendin e 60-të, duke rikujtuar se jo më larg se në vitin 2012 ishte në pozitën 117-të në këtë indeks.

Bajrami ka thënë gjithashtu se Kosova ka shënuar rritje të konsiderueshme edhe në “Indeksin e Lirisë Ekonomike,” të matur nga “Fondacioni Heritage,” ku nga pozita 84-të që ishte në vitin 2015 është ngritur në pozitën e 46-të.

“Qeveria e Kosovës e konsideron përmirësimin e ambientit të të bërit biznes një punë të vazhdueshme në të cilën janë të përfshira të gjitha institucionet e vendit dhe komuniteti i biznesit. Reformat e suksesshme ekonomike po përcillen me shtim të aktivitetit ekonomik dhe do të sigurojnë shtim të investimeve të huaja dhe rritje të përgjithshme të ekonomisë së Republikës së Kosovës. Pakoja e re fiskale 2.0, e cila do të aprovohet së shpejti nga Qeveria e Kosovës, do të sjellë një stimulim tejet të rëndësishëm për aktivitetin prodhues në vendin tonë, duke e bërë Kosovën dhe prodhuesit e saj konkurrentë me prodhuesit nga rajoni dhe më gjerë”, është shprehur Bajrami.

Sipas saj Kosova ka ndërtuar një kornizë ligjore moderne në përputhje me legjislacionin e BE-së që do të ndihmojë në integrimin e suksesshëm në tregun e Bashkimit Evropian përmes implementimit të plotë të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Ajo u ndal edhe te Ligji për Investime Strategjike, i cili, theksoi ajo, është një mekanizëm i rëndësishëm dhe praktik përmes të cilit shumë kompani të mëdha ndërkombëtare do t’i realizojnë investimet e tyre në projekte të mëdha, duke mos u ballafaquar me procedura dhe burokraci të tej zgjatur.

“Në sesionin e diskutimeve rreth zonave ekonomike si mundësi për rritjen e investimeve të huaja direkte, Bajrami tha se Ministria e Tregtisë, në bashkëpunim me komunat e Republikës së Kosovës po punon në ndërtimin e shumë zonave ekonomike nëpër Kosovë. Ajo përmendi Parkun e Biznesit në Drenas si dhe Parkun Teknologjik në Shtime, si projekte të përfunduara në të cilat po operojnë kompani të shumta nga vendi por edhe të huaja, kryesisht në sektorin e prodhimit. Bajrami tha se MTI është duke punuar me organizatat partnere ndërkombëtare për të rritur nivelin e financimit të ndërtimit të zonave të reja industriale nëpër komunat e Kosovës pasi për këtë kemi mjaft interesim nga firma të ndryshme nga vendi dhe nga jashtë. Deri tani janë licencuar tetë zona ekonomike nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa të tjera pritet të licencohen dhe të mbështeten financiarisht nga MTI”, thuhet në komunikatë.

Gjatë vizitës së saj në Paris, Bajrami po zhvillon takime bilaterale me delegacione të shteteve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare duke i njoftuar me zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe mundësitë që ofron për investitorët e huaj.