Ne ballkanasit, popuj të ambasadorëve

“Ju e pëlqeni vendin tonë? A do të bëni gjë për ne?- Më tha një ballkanas herën e parë që u takova me të.” Kështu e nis librin “Brenga e Ballkanit”, Edith Durham, shkrimtarja e famshme britanike e cila për një kohë të gjatë (fundshekullin 19 fillimi i shekullit 20) kishte qëndruar në Ballkan dhe kishte shkruar mbi politikën dhe brengat e ballkanasve.

Opinion

17/12/2017 14:19

Shkruan Xhenis Sulimani

Brenga ime sot është e njëjtë sikur habia e Durhamit kur është pyetur se çfarë e solli në Ballkan dhe se a ishte e gatshme të ndihmon popujt këtu. Njëjtë si para 100 vjetëve edhe sot ballkanasit, nuk kanë ndryshuar në këtë drejtim. Mjafton të shikosh interesin me të cilin ndiqen ambasadorët e vendeve të mëdha në vend dhe sakaq kupton dhe i jep përgjigjen që është parashtruar 100 vjet më parë. Ne duam të dimë çka të tjerët do të bëjnë për ne, pa u ndalur dhe të mendojmë: çfarë ne mund të bëjmë për veten. Dhe, çështja tjetër, a jemi ne të gatshëm të bëjmë “revolucion shpirtëror”, që sipas filozofit Karl Popper do të thotë shkatërrim i tribalizmit dhe ndërtim të demokracisë.

1.

Denoncimi i ambasadorit amerikan në Maqedoni, për korrupsion në Maqedoni, është shtytja që të nis të shkruaj këtë shkrim dhe të transmetojë në opinion brengën time. A e do një i huaj vendin më shumë se ne? A do dikush ne të jemi të lumtur më shumë se sa ne që duam për veten? Janë këto pyetje që lindin natyrshëm, kur paraqiten denoncime të këtilla, e ne rrimë sikur s’dimë gjë ose i duatrokasim ambasadorët për guximin. Kjo e fundit është turpi më i madh. E dini pse? Se duartrokitja është vetëm shtirje se jemi moralist, në fakt ne deri dje e kemi mbështetur në heshtje amoralitetin, korrupsionin dhe institucionet e kapura.
Kjo gjendje flet për ne shumë. Thotë që ne jemi me mendësi tribaliste, ende nuk ia kemi haberin institucionalizmit dhe se demokracia për ne është çfarë na thonë të tjerët dhe jo veprimtaria jonë që të duhej të kultivonte demokraci autoktone. Demokracia nënkupton syçelësi të popullit ndaj atyre që i ka zgjedh. Këto të fundit duhet të jenën nën syrin mbikëqyrës të popullit. Kështu do të fitoj në sens demokracia, për atë që është në të vërtetë “sundim i popullit”.

2.

Ndërrimi i personave që do të qeverisin me Maqedoninë fillimisht dha një shpresë. Qeverisja e kaluar shkoi si më keq, me duar të përgjakura. Por, a kemi ndryshuar mentalitetin e qeverisjes apo vetëm njerëzit në Qeveri, kjo dilemë shumë shpejtë do të qartësohet. Mendimi im, që me të vërtetë të kontribuoet në ndërrimin e mentalitetin janë mediat, gatishmëria e tyre për ta kritikuar qeverinë edhe për gabimin më të vogël. Kjo do të ndikojë që përfaqësuesit politik të jenë më të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Përgjegjësia është qeverisja më e mirë. Nëse ne presim që çdo aferë korruptive të denoncohet nga të huajt dhe ne tregojmë gatishmëri vetëm të duartrokasim, e të jemi transmetues është humbje për ne. Por, njëherit edhe pasqyra e jona, që tregon se ne jemi shpirtnisht të korruptuar, sepse përfaqësuesit tanë janë të zgjedhurit tanë dhe natyra jonë aplikohet nëpër institucione.

Brengë shoqërore, nacionale e ballkanike do të jetë pafuqia jonë dhe shpresa te të tjerët, derisa ne nuk e fitojmë betejën me të keqen brenda nesh. Ne të mirë, institucionet e mira, politikanët shembullorë… perspektiva garancë. E në kësi rastesh, për dikë utopike- për dikë shumë lehtë të realizueshme, ne të tjerët mund t’i shëtisim nëpër pasuritë tona natyrore duke ua treguar ndonjë përvojë të mirë të huajve që mund të jetë leksion për ta.