Ndryshon strategjia e diplomacisë kosovare

Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ) nga sot ka filluar që të mbajë një trajtim treditor për diplomacinë ekonomike. Ky trajnim është bërë me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të diplomacisë ekonomike të Kosovës.

Lajme

22/04/2015 15:03

Duke e vlerësuar diplomacinë ekonomike si një ndër prioritet e politikës së jashtme, sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Kreshnik Gashi ka thënë se “nëpërmjet diplomacisë ekonomike në planin bilateral ne do të sigurojmë investitorët e huaj potencialë sepse vendi ynë ofron ambient të favorshëm ekonomik dhe biznesor për investime të natyrave të ndryshme nga ato më të mëdha”.

Sekretari Gashi ka përmendur projektet e mëdha investuese si kontrata e nënshkruar për qendrën turistike në Brezovicë dhe një varg projektesh të ngjashme në sektorët e energjisë, telekomit dhe minierave e deri te projektet më të vogla, njofton MPJ.

Duke nënvizuar se diplomacia e Kosovës qëndron mirë e pozicionuar në nivel rajonal meqë është anëtare në institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare dhe ekonomike, sekretari Gashi është shprehur se “pa marrë parasysh problemet aktuale në raport me mosnjohjen nga Serbia, Kosova është anëtare e CEFTA-s dhe e cila, me gjithë vështirësitë e kohëpaskohshme, ka krijuar një zonë liberale tregtare ndërmjet shteteve të rajonit”. Por, sekretari Gashi ka theksuar se “qëllimi ynë sigurisht është integrimi në mekanizma të tjerë evropianë, me synim final integrimin në BE”. Ai ka shtuar se “ne dëshirojmë t’i shfrytëzojmë diplomatët tanë për avancim të zhvillimit ekonomik të Kosovës nëpërmjet rolit të diplomacisë ekonomike”.

Kurse drejtori i Akademisë Diplomatike të MPJ-së, Skender Durmishi, e ka vlerësuar këtë trajnim si një mundësi të mirë për të gjithë pjesëmarrësit që t’i thellojnë njohuritë e tyre sa i përket diplomacisë ekonomike.

“Besoj se do të jetë rast i mirë që gjatë tri ditëve në vazhdim do të mësojmë dhe do të përfitojmë shumë njohuri mbi diplomacinë ekonomike, çfarë lloj diplomacie ekonomike po zbatohet aktualisht në botë, pse diplomacia ekonomike është me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe si ta vëjmë diplomacinë ekonomike në funksion të ekonomisë së Kosovës”, ka thënë  Durmishi.

Për organizmin e këtij trajnimi, Durmishi ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë si dhe diplomatin gjerman Albrecht  Von der Heyden, njohës i çështjeve ekonomike.

Diplomati gjerman, Albrecht  Von der Heyden ka thënë se “promovimi i tregtisë së jashtme dhe investimeve konsiderohet si pjesë shumë e rëndësishme e diplomacisë kosovare dhe se duhet të shikohet se çfarë lloj diplomacie ekonomike përdorin vendet e vogla për të cilat kjo diplomaci ka shumë rëndësi”.

Trajnimi për diplomacinë ekonomike do të zgjasë tri ditë dhe në të do të ligjërojnë edhe ambasadorë të vendeve evropiane në Kosovë si dhe ministra të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve ekonomike të vendit. Përmes këtij trajnimi synohet që zyrtarët dhe diplomatët e MPJ-së të përfitojnë nga përvojat e ekspertëve ndërkombëtarë në fushën e diplomacisë ekonomike, njofton MPJ. (lajmi.net)