Ndryshon historia e grave të punësuara në Kosovë, KDI aplikon pushimin menstrual

Të drejtat e njeriut e në veçanti të drejtat e gruas në Kosovë dhe pse të pranuara formalisht nga të gjithë, vazhdojnë të jenë sfidë dhe të cenohen nga barrierat ligjore e kulturore, si pasojë e stereotipeve gjinore, të pranishme si në familje ashtu edhe në jetën publike.

Lajme

08/03/2016 15:55

Kështu vlerëson Instituti Demokratik i Kosovës, që ka vendosur të shënojë 8 Marsin e 2016-tës ndryshe nga vitet tjera; duke synuar të mbështesë zhvillimin e demokracisë dhe të kapitalit të saj njerëzor.

“Politika që sot KDI prezanton u jep mundësi grave të punësuara në organizatë të  shfrytëzojnë ditë të lira shtesë për ciklin natyral të trupit të tyre,  pa cenuar benefitet e pushimit vjetor apo shëndetësor të përcaktuar me ligjin e punës. Politika e pushimit menstrual u jep të drejtë grave të punësuara në KDI që lirshëm të marrin ditë të lirë nëse ato duan, por kjo nuk është e detyrueshme. Prandaj KDI në vend të urimit për 8 marsin inkurajon institucionet publike e private që të vendosin politika të  ngjashme për gratë që punojnë në institucionet e tyre, pa i diskriminuar ato në obligim të pushimit vjetor apo shëndetësor”, thuhet në njoftimin e tyre.

Vlerësojnë se ky është një hap i vogël drejt përkushtimit të tyre si organizatë dhe si shoqëri për avancimin e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë të drejtat e gruas.

Ndryshe, qëkur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ftoi shtetet anëtare të shpallin 8 marsin si Ditën e OKB-së për të drejtat e grave dhe paqen në botë më 1977, Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet me “festë apo protestë” për më shumë të drejta të grave në sferat politike e sociale, të cilat plotësojnë dhe avancojnë sfondin e  të drejtave të njeriut./ Lajmi.net