Ndryshimi dhe ulja e disa tatimeve bëhet vitin e ardhshëm

Ndryshimet e ligjeve që taksojnë bizneset dhe qytetarët po shihen të domosdoshme nga ekspertët e ekonomisë.

Lajme

15/03/2015 21:46

Ndryshimet që pritet të hyjnë në fuqi nga fillimi i vitit të ardhshëm do të përfshijnë uljen e taksave në produktet elementare ushqimore; ulje të tatimeve për makineri dhe teknologji si dhe ndryshime në tatimet e të ardhurave personale.

Ndryshimet në uljen e tatimeve duhet të reflektojnë edhe në uljen e çmimeve për produktet elementare ushqimore. Nëse nuk ndodh kështu, sipas ekspertit të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, nuk ia vlen as ndryshimi i ligjeve. Ndryshimi i këtyre ligjeve, sipas Rexhepit, krijon një tjetër realitet të tatimeve në vend.

Rexhepi ka disa vërejte për ndryshimet në ligjin për tatimin e të ardhurave personale.

“Tatimi në të ardhura personale ka një ngarkesë por jo shumë e madhe, por nuk mund të tatohen njejtë të gjithë ata që kanë paga 300 me 3 mijë euro”.

Ndryshimet në ligjin për tatimin e të ardhurave në korporata dhe ligjin për tatimin në të ardhurat personale, i kanë shpjeguar dy zyrtarë të lartë të Administratës Tatimore.

Nahit Sharku, zv. drejtor i ATK “është krijuar baza ligjore për pushim tatimore. Lirimi gjate importit te makinerive te prodhimit. Lirimi I shpenzimeve qe kane te bëjnë ne shpenzimeve publike”.

Ilir Islami, Departamenti ligjor dhe i ankesave në ATK “Pagat e personave me aftësi te kufizuara hynë ne listën e pagave te përjashtuara, Kontributet për shërbimin shëndetësor. Te ardhurat për ish te dënuarit politik”.

Deri më tani tatimet kanë qenë unike. Vetëm për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, qytetarët kanë paguar 16 për qind. Ndryshimet e propozuara pritet të miratohen në Qeveri e Kuvend dhe të hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, raporton RTK.